Messi në gjyq për evazion fiskal

27/09/2013 00:00

Lionel Messi doli para gjykatës për t’u mbrojtur ndaj akuzave të ngritura kundër tij për evazion fiskal.

26-vjeçari argjentinas, katër herë fituesi i Topit të Artë, dhe babai i tij Jorge Messi akuzohen për mashtrim në deklarimin e të ardhurave me dëm rreth 4.3 milion euro. Ata dyshohet se kanë përdorur kompani në Belize dhe Uruguaji për t’i shpëtuar sistemit spanjoll të tatimit.

Akuzat lidhen me deklarimin e të ardhurave nga 2007 deri në 2009. Si Messi ashtu edhe babai i tij i mohojnë këto akuza.

Messi dëshmoi rreth 15 minuta me dyer të mbyllura në një gjykatë në Barcelonë, rreth orës 11:00. Ai u largua nga gjykata me po të njëjtën buzëqeshje me të cilën hyri, pa harruar të përshëndeste edhe tifozët e shumtë që e mbështesnin. 

Në gusht, pak pas plasjes së këtij skandali, Messi u pagoi 5 mln euro autoriteteve spanjolle, 4.3 milion të prapambetura që nga 2007-2009 plus interesat.

Megjithatë prokurorët vendosën ta ndjekin çështjen, ndërsa autoritetet tatimore në vend po tregohen strikte në detyrën e tyre që prej nisjes së krizës ekonomike në vend dhe nevojës së shtetit për të siguruara sa më shumë të ardhura nga sistemi tatimor.

Paga neto e Messi-t tek Barcelona përllogaritet në rreth 16 milion euro duke e bërë atë njërin prej sportistëve më të paguar në planet. Përvec kësaj, asi argjentinas ka nënshkruar edhe një kontratë shumë-milionëshe me kompani të ndryshme për marketing.

Akuzat ndaj sulmuesit argjentinas dëmtojnë imazhin e tij. Prej vitesh tashmë ai ka mundur të ruajë një profil të ulët në krahasim me futbollistë të tjerë të mëdhenj.

Top Channel