
Brenda një dekade, Kina synon të përfundojë ambicien e saj hapësinore për të patur një stacion të vetin në orbitë.
Plani u publikua në Kongresin Ndërkombëtar të Aeronautikës që po mbahet këto ditë në Pekin. Në planin e Agjencisë Hapësinore Kineze stacioni hapësinor kinez do të vendoset në orbitën e ulët të Tokës dhe në gjendje që të strehojë gjashtë astronautë të përkohshëm dhe tre të përhershëm.
Projekti përmban tre kapsula, dy laboratorë dhe një anije kozmike që do shfrytëzohet për transport. Sipas agjencisë kineze, stacioni do të mbulojë në total një hapësirë prej 60 metër/katrorë.
Në 2003 Kina u bë vendi i tretë, duke iu bashkuar Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, që dërgoi një njeri në hapësirë. Në dy dekadat e fundit vendi komunist ka investuar miliarda dollarë për programin e tij hapësinor, ndërsa qershori e kaluar testi për uljen manuale në stacionin hapësinor përfundoi me sukses, një hap i rëndësishëm për ndërtimin e një stacioni hapësinor.
Top Channel