Një avion i mbushur me pasagjerë u rrezikua gjatë gushtit, pasi të dy pilotët në drejtimin e tij i zuri gjumi gjatë fluturimit, zbuloi të enjten “Daily Mail”.
Ngjarja ndodhi me një “Airbus A330”, në një fluturim të një kompanie britanike dhe të nisur nga Britania, por burimi i sigurt i gazetës nuk pranoi që të saktësonte cila kompani me emër.
Mbingarkesa për pilotët është shndërruar në një prej elementeve më shqetësues të aviacionit, me disa dhjetëra raste aksidentesh, disa prej tyre me dhjetëra viktima, të shkaktuara si pasojë e lodhjes.
Si pasojë e axhendës së ngjeshur të punës, pilotët kishin fjetur vetëm nga pesë orë secili, në dy ditët e mëparshme.
Gjatë fluturimit, ata kishin vendosur që të vendosnin autopilotin në periudhën në të cilën për disa orë nuk do të ndryshonin kuotë, shpejtësi apo kursin e udhëtimit dhe që të flinin nga pak me turne, për t’u relaksuar.
Megjithatë, kur njëri nga pilotër ishte zgjuar rastësisht, kishte parë që edhe kolegu i tij në atë moment po flinte.
Nuk pritet që mbi pilotët të aplikohen masa ndëshkimore të rënda, pasi ata janë konsideruar nga komisioni i sigurisë ajrore në Britani si viktima të orareve të panatyrshme të imponuara nga punëdhënësi i tyre.
Top Channel