Helsinki, aty ku mund të gjeni kuletën e humbur

26/09/2013 00:00

Nëse do të gjenit një portofol në rrugë, a do t’ia kthenit pronarit
legjitim? A do të përpiqeshit ta gjenit atë përmes kartës së identitetit
apo numrit të celularit që mund të gjenit në portofol?

Për të gjetur përgjigjen ndaj kësaj pyetjeje, sidomos tani në kohë krize, revista “Reader’s Digest” ka dërguar gazetarët e saj nëpër botë për të kryer “testin e portofolit”.

Bëhet fjalë për monitorimin e sjelljes së njerëzve nëse kanë përpara një portofol të humbur, për të hartuar klasifikimin e qyteteve më të ndershme të planetit.

Kanë qenë 16 lokalitetet e zgjedhura për eksperimentin dhe 12 portofolët e lënë enkas në rrugë nga të dërguarit e revistës në vende të dukshme.

Vendet në fjalë kanë qenë parqe, qendra tregtare dhe trotuare, për një total prej 192 “testesh ndershmërie”, të cilat i kanë kaluar në mënyrë spektakolare finlandezët, me 11 portofolë të kthyer nga 12.

Nuk kanë qenë të mira të dhënat në Lisbonë, ku është kthyer vetëm 1 portofol e për më tepër nga një çift holandezësh që ishin me pushime.

Në tërësi, në duart e pronarëve që i kishin humbur qëllimisht kuletat e tyre janë kthyer më pak se gjysma, konkretisht 90 copë, ose 47 për qind e objekteve.

“Finlandezët e kanë ndershmërinë në natyrë dhe tek ne ka pak korrupsion”, e shpjegon rezultatin biznesmeni 27-vjeçar Lasse Luomakoski.

“Për ne ndershmëria është një bindje e lindur, prandaj është logjike të kthesh diçka që nuk të përket”, e mbështet deklaratën e tij një çift të moshuarish nga një lagje popullore.

Ja dhe klasifikimi i qyteteve më të ndershme në botë:

1 – Helsinki (Finlandë) – 11 portofolë të kthyer nga 12
2 – Mumbai (Indi) – 9 nga 12
3 – Budapest (Hunghari) – 8 nga 12
3 – Nju Jork (USA) – 8 nga 12
5 – Moskë (Rusi) – 7 nga 12
5 – Amstërdam (Holandë) – 7 nga 12
7 – Berlin (Gjermani) – 6 nga 12
7 – Lubianë (Slloveni) – 6 nga 12
9 – Londër (Britani e Madhe) – 5 nga 12
9 – Varshavë (Poloni) – 5 nga 12
11 – Bukuresht (Rumani) – 4 nga 12
11 – Rio de Zhaneiro (Brazil) – 4 nga 12
11 – Zyrih (Zvicër) – 4 nga 12
14 – Pragë (Republika Çeke) – 3 nga 12
15 – Madrid (Spanjë) – 2 nga 12
16 – Lisbonë (Portugali) – 1 nga 12

Top Channel