F1, Ecclestone: Vettel, Schumakeri i ri

26/09/2013 15:50

Ndërsa Formula 1 është shndërruar në një “diktaturë” të Sebastian Vettel, pronari i të drejtave televizive dhe një ndër aksionerët e kompeticionit të F1, Bernie Ecclestone parashikon që piloti 25-vjeçar do të thyejë rekordet e vendosura prej të madhit Micheal Schumaker.

Nën drejtimin e Red Bull, Vettel përgatitet që të festojë në këtë sezon kurorën e tij të katërt radhazi, duke u shndërruar në një prej pilotëve më të suksesshëm ndonjëherë, ndonëse ndodhet në një brez në të cilin në Formula 1 janë bashkuar shumë kampionë bote, si Alonso, Hamilton, Raikkonen apo Button.

“Vettel është Schumakeri i ri. Katër tituj botërorë në moshën që ka janë një arritje e pabesueshme. Mbase në 2014-n dominimi i tij mund të prishet, por Seb ka ende edhe shumë vite të suksesshme përpara”, deklaroi Ecclestone.

Duke u ndalur tek zhvillimet që pritet të ndodhin në edicionin e ardhshëm, shtoi: “Do të kemi makina të reja, shumë modifikime dhe hegjemonia e Vettel mund të përfundojë. 2014-ta do të jetë shansi më i mirë për Ferrarin, Mercedes, McLaren apo ndonjë tjetër për të përmbysur situatën që për momentin i disavantazhon. Mbase, në vitin e ardhshëm, Vettel mund të humbë pasi makina më e mirë mund të bëjë më shumë diferencë sesa piloti më i mirë”.

Top Channel