Donald Lu, kandidati i zgjedhur nga presidenti amerikan Barak Obama për të qenë ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Shqiperi, cilësoi luftën kundër korrupsionit si një nga detyrat e rëndësishme me të cilat përballet qeveria e re shqiptare.

“Një nga çështjet e mëdha është lufta kundër korrupsionit dhe kundër krimit të organizuar. Korrupsioni është shumë i përhapur në Shqipëri. Ekziston në çdo nivel, nga më të lartët tek më të ultit. Është shumë e vështirë për çdo shoqëri të shpëtojë prej tij. Shpresoj se përmes kësaj ndihme dhe asaj të Bashkimit Europian, të jemi të suksesshëm për të patur efekt në një çështje që sinqerisht është e para për qeverinë e re shqiptare”, theksoi Lu.

Ai foli në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë në Senat, ku paraqiti dhe tre përparësitë e misionit të tij nëse do të konfirmohet në detyrën e diplomatit amerikan në Tiranë: “Së pari, zhvillimi i institucioneve demokratike dhe shoqërisë. Zgjedhjet parlamentare të qershorit në Shqipëri ishin më të mirat në historinë e vendit, duke çuar në një tranzicion paqësor pushteti nga një koalicion qeverisës tek tjetri. Por, demokracia është më teper se vetëm zgjedhje. Ne duhet të inkurajojmë udhëheqjen e guximshme në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të qenieve njerëzore dhe korrupsionit. SHBA duhet të vazhdojë të mbështesë zërin në rritje të shoqërisë civile, mbrojtjen e pakicave, pavarësinë e sistemit të drejtësisë, përgjegjshmërinë… Një udhërrëfyes i rëndësishëm i këtyre reformave do të jetë aspirata e Shqipërisë për anëtarësimin në Bashkimin Europian”.

Përparësia e dytë për diplomatin Donald Lu është mbështetja për ushtrinë si dhe lufta kundër korrupsionit brenda radhëve të saj, për të garantuar standartet më të larta të NATO-s. “Ne duhet të vazhdojmë të zhvillojmë aftësinë e aleatit tonë në NATO, Shqipërisë, për të qenë një partner efektiv afatgjatë në mbështetje të stabilitetit në Europë dhe më gjerë”.

Përparësia e tretë do të jenë marrëdhëniet ekonomike mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Ai foli për zhvillimin befasues të vendit këto 20 vitet e fundit, por edhe ngecjen ekonomike gjatë këtyre viteve të fundit. Ai sygjeroi: “E para, Shqipëria të ndërmarrë reforma kyçe ekonomike për të krijuar një klimë biznesi më të qëndrueshme dhe e dyta: forcimi i partneritetit ekonomik mes Shqipërisë dhe Europës dhe Shqipërisë dhe SHBA-së”.

I pyetur nga senatori demokrat Kristofer Mërfi, që drejtoi seancën dëgjimore në Komisionin e Marrëdhënieve me Jashtë në Senat, për projektin e gazjellësit transadriatik TAP, Donald Lu e cilësoi si investimin e vetëm më të madh që është bërë në Shqipëri në vlerën nga 1.2 -2 miliardë dollarë si dhe mundësinë për të krijuar 10 mijë vende pune.

Duke e mbyllur fjalën e tij përpara Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë në Senat, Donald Lu tha se SHBA-së i duhet një aleat i palëkundur si Shqipëria.

Top Channel