Shqipëria në Asamblenë e OKB

25/09/2013 00:00

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili ndodhet në Nju Jork si pjesë e delegacionit shqiptar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, në një lidhje telefonike direkte me Top Channel ka folur për ecurinë e takimeve të zyrtarëve shqiptarë me homologët.

TCH: Zoti Bushati, përshëndetje! Ju keni patur takime me homologët tuaj në Nju Jork, ndërkohë që vlerësojmë si më të rëndësishmin atë me zotin Venizellos. Mes Greqisë dhe Shqipërisë ka disa çështje të hapura mbi tryezë, ndërkohë që ka nisur sërish problemi i toponimeve dhe vendlindjes së fëmijëve shqiptarë. A keni diskutuar për ndonjë zgjidhje për çështjet emergjente si kjo dhe a kemi një strategji për sheshimin e kontradiktave për çështje të tjera si ajo e kufirit detar?

Bushati: Kam pasur disa takime në Nju Jork, mes të cilëve atë me zotin Venizellos. Janë dy pika, të cilat datojnë që në dekadat e shkuara dhe nga ana tjetër kemi parasysh ngritjen e një partneriteti të fortë strategjik. Ekziston i gjithë vullneti i palës shqiptare për të zgjidhur këto çështje. Mund të them se takimi është zhvilluar në një dozë realizmi.

TCH: Keni takuar edhe ministrin serb të Jashtëm. Cilat janë çështjet e pazgjidhura mes Tiranës dhe Beogradit?

Bushati:
Me ministrin e Jashtëm serb diskutuam për intensifikimin e kontakteve, sidomos në një situatë të re që ka rajoni pas marrëveshjes Serbi-Kosovë. Diskutuam gjithashtu për të pasur një përqasje sa më solide karshi Brukselit. Ka qëndrime të kundërta, por ka edhe të përbashkëta për çështje të tjera.

TCH: Po flitet këto ditë për një iniciativë për krijimin e një unioni ballkanik perëndimor me vendet e ish-jugosllavisë dhe Shqipërisë. A është diskutuar kjo çështje në Nju Jork? Nëse po, çfarë është ajo dhe çfarë qëndrimi ka qeveria e re Shqiptare?

Bushati: Blloku ballkanik ka qenë një çështje e diskutuar me homologët e rajonit. Nesër do të ketë një takim tjetër dhe është e natyrshme që të ketë nisma rajonale. Por Shqipëria do të ketë një qasje të kujdesshme dhe duhet të shohë më parë efektin e nismave ekzistuese. Për ne si Shqipëri është e rëndësishme të ketë nisma që përfshijnë vende ballkanase që janë pjesë e BE, si Sllovenia dhe Kroacia dhe vende të Evropës lindore si Rumania e Bullgaria.

TCH: Në fundjavë do të kemi fjalën e kryeministrit Rama përpara Asamblesë së Kombeve të Bashkuara. Cilat janë pikat ku do të përqendrohet ajo?

Bushati: Pikat e fjalës së kryeministrit lidhen me vizionin e qeverisë së re për politikën e jashtme, raportet me fqinjët dhe rolin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare.

Top Channel