PE, optimizëm për statusin e Shqipërise   

25/09/2013 00:00

Parlamenti Evropian ndryshoi raportuesin për Shqipërinë. Ai tashmë do të
jetë një prej eurodeputetëve të rinj kroatë, Nikola Vuljaniç, gjithnjë
nga grupi i ekstremit të majtë ku bënte pjesë dhe parardhësi grek,
Nikolaos Chountis.

“Klima e përgjithshme në Parlament është optimiste. Kjo do të thotë se shumica e eurodeputetëve e konsiderojnë Shqipërinë kandidate të sigurtë për anëtarësim në Bashkimin Europian. Le të shpresojmë se Komisioni dhe Këshilli do të kenë të njëjtin mendim”, thotë Vuljaniç.

Ende pa nisur punë, eurodeputeti kroat premton se rezoluta për Shqipërinë, kësaj here do të përgatitet në kohën e duhur, menjëherë pas raportit të progresit të Komisionit Evropian. Në lidhje me statusin kandidat, Vuljaniç përsërit se të paktën Parlamenti Evropian do të ketë mendim pozitiv.

“Unë jam optimist për qëndrimin e Parlamentit. Sigurisht që nuk e garantoj unë sepse jam vetëm një votë. Por jam optimist për qëndrimin e Parlamentit, ndërsa nuk mund të them asgjë për Këshillin e BE-së, i cili vendos me kritere të ndryshme. Le të shohim”, u shpreh Vuljaniç.

Top Channel: Cilat janë sipas jush përparësitë që Shqipëria duhet të plotësojë sa më shpejt?

Vuljaniç: Sistemi gjyqësor dhe shteti i së drejtës, është diçka që duhet të sillet deri në një shkallë të pranueshme për nisjen e bisedimeve për anëtarësim. Sigurisht që është një prej fushave që do të duhet ta ndryshoni e ta ndryshoni, e ta ndryshoni, për ta përputhur me standartet evropiane. Por kjo është çështje e bisedimeve për anëtarësim. Për momentin është e nevojshme që vendi të vijë deri në pikën e nisjes së bisedimeve, gjë që për mua është faktor kyç.

Vuljaniç thotë se dëshiron të mësojë gjëra më konkrete mbi Shqipërinë sesa nga “letrat” e Brukselit, gjatë takimeve, jo vetëm me anëtarë të Qeverisë, por edhe me shoqërinë civile, sindikatat e të tjerë. Për këtë, raportuesi i ri planifikon të zhvillojë vizitën e parë në vend më 16 tetor, ditën e publikimit të raportit të progresit për vendin.

Pergatiti Ernest Bunguri

Top Channel