Kur pritshmëria është e lartë, durimi është i paktë

25/09/2013 00:00

Aleksander Cipa – Periudha e parë qeverisëse e Kryeministrit Rama është
më e vëzhguara dhe natyrisht edhe më e sulmuara se periudha e njëjtë e
mandatit të dytë të paraardhësit të tij, ish-kryeministrit Berisha.
Madje kjo syçeltësi masive dhe pritshmëria publike ndaj akteve dhe
punëve të muajve të parë të qeverisjes Rama është, shumë herë ndoshta,
më e lartë se muajt e parë të qeverisjes Berisha në vitin 2005. Ato janë
momente të përngjashme, në kohë të ndryshme dhe padyshim edhe me
specifika rrethanash.

Por kjo periudhë e re qeverisjeje e Kryeministrit Rama është e vendosur në epiqendër të vëmendjes së të gjitha kategorive dhe shtresave të vendit, ndikuar shumtazi edhe prej kontekstit dhe zhvillimeve pararendëse. Ndërkohë që ajo në thelbin e vet është e lidhur pazgjidhshmërisht me imazhin që premtoi dhe investoi gjatë fushatës koalicioni i majtistëve me brendi të ndryshme, Meta-Rama. Kryeministri Rama maksimalizoi premtimin deri në brendi “rilindjeje”, ndërsa ortaku qeverisës Meta jo naivisht afirmoi vijimësinë, me pretendimin “për ecje më shpejt”. Në këtë përmbajtje të ndryshme sloganesh, mbetet e shënjuar edhe diferenca që krijojnë në sytë e publikut dhe në raport me të, për premtimin dhe mundësinë, për fjalëmbajtjen dhe realizimin konkret, për realizimin dhe zvogëlimin e pakënaqësisë etj.

Sidoqoftë, në këtë moment, kur shtati i pritshmërisë është shumë herë më i lartë sesa ai i mundësisë, Kryeministri Rama ka hyrë në orët kur do të shijojë produktin e realitetit që rrjedh nga shprehja e padurimësisë së të vetëve dhe aleatëve në përgjithësi. Kjo është një orë e vështirë që zgjat shumë më tepër se një orë. Pra ajo është një kohë dhe realitet presioni që shumëfishohet dhe pse jo, edhe dimensionohet në çdo ditë dhe muaj të ardhëm. Një shtytim i tillë deri edhe në përmasën e një presioni të fuqishëm psikologjik e politik, natyrisht që amortizon qetësinë e ruajtur dhe të shprehur, por, nga ana tjetër, bën të mundur që të shumëfishojë organizimet dhe forcat penguese, bllokuese dhe ngatërron konstruktivistët me opozitarizmin agresiv. Këtë studim psikopolitik duket se kundërshtari i tërhequr, por jo i dorëzuar Berisha, e mban në qendër të vëmendjes si strategji të besuar te pasardhësit e vet në PD, por jo vetëm aty, edhe te grupet e interesit dhe grupimet e tjera, të cilat janë me interes dhe besueshmëri, me ndjenjë dhe lokalizëm, me përkatësi dhe bindje utopike, mbështetës të tij edhe pa qenë zyrtarisht ai. Në provë të kësaj logjike, PD-ja opozitarizmin kontestues ndaj qeverisësve të rinj e ka nisur më herët se kurrë ndonjëherë. Ende pa u ulur zyrtarisht dhe praktikisht në karriget e Parlamentit, në publik ishte investuar opozitarizmi për kohën e pakursyer të qeverisësve. Ndërkohë që tashmë kur ende nuk janë mbushur 10 ditët e qeverisë së re, opozita po trumbeton ankesat për “stuhitë ndryshuese të administratës publike” apo për ndryshimet dhe vërshimet e militantëve në zyrat e shtetit… Në fakt kjo është e natyrshme, por nuk është një sjellje që ndihmon përfitimin e një imazhi të ri për opozitën e re. Në Shqipëri nevoja për të pasur produktin e ri të një qeverisjeje të re është po kaq edhe nevojë për një opozitë të re me sjellje dhe jetë politike të re. Pretendimi vetëm i njëkahshëm nuk e ndihmon largimin dhe shkëputjen e vendit nga shpërgënjtë e këtij tranzicioni. Madje, shenjat e rikthimit në një kronikë agresive të komunikimit, ligjërimit, veprimit dhe kontestimit agresiv dhe kërcënues, as më pak e as më shumë, janë jeta tjetër vijuese e politikës berishiste pa Berishën. Kjo nuk do të thotë se opozita duhet të jetë toleruese ndaj vërshimeve masive për lëvizje dhe pushime në administratë. Jo, në këtë fushë opozita ka terrenin e vet të natyrshëm dhe pa dyshim edhe pistën e fitimit të mbështetjes prej jo vetëm militantëve e anëtarësisë së vet, por edhe “shtresës gri” dhe segmenteve të shoqërisë civile. Çështja është të mos predominojë ankesa politike mbi principin dhe nevojën për avokatinë e ruajtjes së kushtetutshmërisë, ligjit dhe parimeve të demokracisë institucionale. Kjo avokati nuk manifestohet me kërcënime, por me denoncime dhe mjete bindëse.

Opozita konstruktive e një vendi e përfiton si mjet të fuqishëm dhe potencial “humbjen e durimit të njerëzve përballë një qeverie”, por nuk e rrëmben atë që në ditët e para, për ta përdorur si kamë apo pushkë vrastare në lojën dhe sjelljen politike. Nga ana tjetër, qeveria e re, e gjendur nën presionin në shtim të pritshmërisë, i ikën strategjisë dhe punës empirike, duke dhënë dhe mishëruar provat e brendisë dhe aktit të madh transformues. Çdo kohëvonesë, për shkak të vetes dhe prej vetes, është kosto që e merr qeveria e pritshmërisë së madhe, siç është kjo e Kryeministrit Rama.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA