“Unë, miku i diktatorit Kim Jong-il”

24/09/2013 00:00

Nga Klevis Gjoni – Imagjinoni një jetë tjetër, në të cilën mund të ndani
sekretet me diktatorin më të përgjakshëm të botës, mund të diskutosh me
të për shijet personale, për politikë, për miqësitë, femrat dhe të
vizitoni vilat e tij luksoze.

Imagjinoni një jetë, në të cilën do të quanit shtëpi një vend që ishte larg një javë me avion dhe 24 orë të tjera me tren, e nga i cili nuk do të mund të ktheheni në vendlindje për vite. Imagjinoni të shëtisni mbi lumë, të jetoni gjithmonë i rrethuar, të shijoni lirinë kur asnjë tjetër nuk e bën dhe të shikoni me sytë tuaj një botë në të cilën pothuajse gjithçka është ndryshe. E ndërsa do të na duhet shumë imagjinatë për të rrokur vetëm një pjesë të të gjithë këtyre aventurave të pabesueshme, Shkëlqim Zeqos, 70 vjeç, nuk i duhet asnjë moment…. Kjo është historia e jetës së tij reale.

Në vitin 1961, në moshën 17-vjeçare, ai do të largohej nga Shqipëria për të fituar një emër të ri, duke u njohur që prej atëherë si Kim. Një shkurtim i çuditshëm i emrit të tij shqiptar, por mbi të gjitha një emër korean, ashtu si pesë vitet e kaluara në Korenë e Veriut dhe një koincidencë, ashtu si dhe emri i mikut të tij Kim Jong-il, të birit të diktatorit dhe më pas diktator edhe ai vetë në vendin më të izoluar të botës.

Sot, një burrë shtatshkurtër dhe flokëbardhë, “Kim” Zeqo të bën përshtypje për një sjellje dhe një sens humori të pazakontë, por ai fare lehtë mund të ngatërrohej lehtësisht me një 70-vjeçar të çfarëdoshëm, të cilit jeta nuk i ka lënë vraga të thella, duke e lënë ende pas shtatë dekadash në gjendje që të udhëtojë edhe jashtë Shqipërisë për të dhënë mësim.

E megjithatë, Kimi është një libër i mbyllur, një libër i një historie të parrëfyer e njëkohësisht të jashtëzakonshme, të cilin do ta lexosh sipas mënyrës së tij. I vetëdijshëm se pyetjet do të përqendrohen tek “si është të kesh shok një diktator” apo “sa keq është me të vërtetë në Korenë e Veriut”, ai të jep një buzëqeshje, e me durim do të tregojë një pafundësi historish të një bote tjetër, pa të cilat nuk do të ishe në gjendje, të kuptoje me të vërtetë as përgjigjen e këtyre dy pyetjeve. Një torturë më vete, kur sheh mbi tavolinë foton e Kimit me atë Kim tjetër, atë koreanin që kujtohet si një perëndi në vendin e tij dhe si një tiran jashtë tij, por një libër të panjohur, duhet ta lexosh nga fillimi. Këtë herë, leximi i pesë faqeve të fundit, ai ves i keq që kemi pak të gjithë, nuk është i mundshëm.

Një kalvar udhëtimesh – Ishte viti 1961. Atëherë, Shkëlqimi 17-vjeçar do të fitonte një bursë shtetërore për të studiuar për inxhinieri elektromekanike. E megjithatë, ai nuk do të ishte pjesë e një ushtrie prej “300 spartanësh”, të dërguar falë marrëdhënieve të ngrohta të kohës për të studiuar në Kinën Komuniste. Lapsi, fati apo një seleksionim i panjohur i autoriteteve të kohës bëri që ai të ishte pjesë e një grupi prej dhjetë studentësh, tetë djem dhe dy vajza, që iu shkëputën grupit të madh të kinezëve, për të përfunduar me studime në Penianin, kryeqytetin e Koresë së Veriut. “U nisëm nga Tirana me avion për në Kiev. Nga Kievi, për në Moskë. Nga Moska në Siberinë e thellë, në Irkutsk, e pastaj përsëri në Siberi, në Omsk e prej andej në Pekin. E mbaj mend atë udhëtim prej etjes. Në avion na shërbenin vetëm ujë me gaz, të cilin ne kurrë nuk e kishim provuar në Shqipëri dhe nuk e pinim dot. Ndaj, në çdo aeroport turreshim si një hordhi huliganësh duke kërkuar ujë”, kthehet pas në kohë Shkëlqimi, që përballë etjes, kujton se si shqiptarët, shumica e të cilëve të rrjedhshëm në rusisht, e kërkonin ujin me ngulm në shqip… Problemi i vetëm, e njëjta fjalë në gjuhën ruse ka një kuptim, le të themi në gjendje të të bëjë të fitosh një shuplakë, nëse ia thua dikujt në rrugë.

Por, le të rikthehemi tek kalvari i udhëtimit. Atëherë, Shkëlqimi ruante ende emrin e tij shqiptar dhe për shoqërinë shkurtimin e zakonshëm “Kimi”. “E mbaj mend si sot që u nisëm në datën 20 shtator. Kemi mbërritur në Penian në fillim të tetorit. Atëherë, nuk ishte bota e sotme. Qëndruam dy ditë në aeroport në Moskë. Marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik sapo ishin ftohur e nuk na linim të dilnim nga aeroporti. Pastaj udhëtuam brenda Rusisë, e deri në Pekin, ku ishim ende të gjithë studentët shqiptarë. Ne, ata të Koresë së Veriut, morëm një tren, e kështu mbërritëm”…

Një “kartolinë” nga Peniani – Në Penianin e vitit 1961, shumë gjëra ngjanin ende me Tiranën e Republikës Popullore të Shqipërisë. Të paktën, palltot gri dhe prerja e flokëve uniform, shpesh edhe uniseks. Ai që ndryshonte ishte moti, me dimrin që të risillte në mendje të gjithë sinonimet që ne kemi për të ftohtin. Ngricë, acar, kallkan, tmerr…. E çfarë fjalësh të tjera mund të të vijnë në mendje kur temperaturat shkojnë -20 gradë në mënyrë të zakonshme, kur rrokin shpesh -35 e -40 gradëshin dhe duhet të presësh majin për të parë ujin që të rrjedhë në dy lumenjtë që fusin në kllapë Penianin, duke e rrethuar nga të dy krahët në një formë unazore. “Atëherë, duke nisur nga nëntori e deri në shkurt, mbi lumenjtë e qytetit mund të shihje traktorë dhe mjete të tjera që ecnin lirisht nga njëri breg në tjetrin. Njerëzit mund të luanin, të rrëshqisnin apo thjesht të ecnin mbi akull në atë kohë”, rikthehet në kujtime personazhi ynë, që megjithatë, diçka ndryshe në kryeqytetin korean do të gjente. “Në vitet 1950-‘53, gjatë Luftës Koreane (ajo që solli edhe ndarjen përfundimtare të kombit), mbi Penian u hodhën 1,5 milionë bomba, nga një për 1,5 milionë banorët e tij. Në total, mbeti e paprekur vetëm një ndërtesë. Ishte e habitshme të shikoje se sa shpejt ishte ndërtuar ky qytet. Asgjë nuk kishte mbetur siç kishte qenë. Piketohej një vend, le të themi një lagje. Ndërtoheshin kanalizimet, hapeshin rrugët e pastaj mbinin pallatet, shumica parafabrikat. Për tre muaj, e gjithë lagjja kishte përfunduar, e arkitektura vërtet interesante”.

Gjuha, kultura dhe zakonet me të cilat s’u përshtatëm dot kurrë – Një kryeqytet aspak i zymtë, siç shumë mund ta imagjinojnë atë të Koresë së Veriut, por përsëri, nuk ishin rrugët e Penianit më të vështirat për t’u mësuar nga dhjetë shqiptarët, pjesë e një grupi të dytë, pas dy shqiptarëve të mbërritur pesë vite më parë dhe pesë të tjerëve që do të mbërrinin në dy vitet e tjera. Në total, 17 studentë, asnjë më shumë sepse nuk do të kishte të tjerë në vitet që pasuan, deri në prishjen me Kinën, kur do të shkëpusnim marrëdhëniet diplomatike edhe me shtetin që ndjek një kalendar unik në botë, atë ku lindja e Krishtit është zëvendësuar me atë të Kim Ir-senit themelues të kombit. Sot, vendi më i izoluar i botës jeton vitin e 101 të juches, kështu quhet rendi politik në Kore. E ndërsa vitet janë treshifrore, vështirë të jenë të tillë edhe shqiptarët, mes të cilëve studentë, anëtarë të stafit diplomatik të kohës apo kalimtarë të rastit, që mund të kenë shkelur në këtë vend misterioz, të varfër, por edhe me një kulturë vibruese e njerëz të jashtëzakonshëm. E megjithatë, ndërsa rrugët e skutat e Penianit do t’i mësonin të gjithë, tek zakonet dhe kultura aq e largët me tonën, gjithçka do të ishte e ndryshme.

“Gjuha koreane është një ndër më të vështirat në botë. Ka në total 42 germa dhe një alfabet të tijin, ndonëse për ata që nuk e njohin mund të duken si hieroglifë. Kur më pyesnin nëse gjuha e tyre ngjan me kinezishten, u them se ngjan po aq sa shqipja me gjermanishten”, vijon rrëfimin Kimi. “Më e vështira nuk është mësimi i gramatikës, si në shumë gjuhë të tjera, por i fjalëve. Koreanishtja nuk ka shumë kohë, përdorimi i fjalëve është i thjeshtë, por ndryshe nga kinezishtja, ku fjalët zakonisht janë njërrokëshe apo dy, në këtë gjuhë fjala më e shkurtër është me tre rrokje dhe ka një fjalor aq të pasur, sa aq shumë fjalë që në thelb kanë të njëjtin kuptim, e ndryshojnë në bazë të ambientit ku ato përdoren. Kështu, për të thënë “le të shkojmë”, pra “hajde ecim” në zhargonin tonë, një shoku mund t’i thuash “Hara”. Nëse këtë ia thua një eprori, një të panjohuri apo qoftë edhe një gruaje, është një ofendim i madh. Një të moshuari apo eprori duhet t’i thuash “Hario” për të njëjtin kuptim. Një gruaje do t’i thuash “Hashio”, ndërsa nëse janë shumë persona, “Hashipshio”. Pastaj ushqimi…. Ne paguanim dhjetëfish më shumë në mensë për të ngrënë ushqim tjetër dhe kurrë nuk hëngrëm ushqim korean. Ata hanin çdo ditë oriz, të cilin e përzienin me vajrat e erëzat e tyre. Hanin një lloj lakre, e cila ndonëse e shijshme, mbante një erë të tmerrshme dhe pothuajse nuk hanin kurrë mish. Kur këtë e bënin, konsumonin mish derri ose ata që ishin më në gjendje, mishin më të preferuar në vend… mishin e qenit. Imagjino, ata nuk hanin mish qengji, sepse i dukej se mbante erë, e hanin mish qeni. Këtë nuk e mësuan dot kurrë”, rrëfen personazhi ynë.

Një kulturë aq e ndryshme, saqë shpesh, një adoleshent i zhvendosur në Kore për pesë vjet, nga të cilat tre vjet pa u kthyer një ditë në shtëpi, nuk mund t’ia kalonte pa krizat e tij të nostalgjisë. E megjithatë, vështirë se mund t’i drejtoheshe Zotit për ndihmë. E kjo jo sepse lutjet nga Koreja nuk dëgjohen nga i Plotfuqishmi, e as sepse në këtë vend me mbizotërim të fesë e kulturës budiste, perëndia e vetme është diktatori, por për një arsye krejt unike. “Në klasën e gjuhës kishim një shkodran. Nga të gjithë shqiptarët, shkodranët e mësonin me më shumë vështirë gjuhën, mbase për shkak të theksit dhe faktit që ka shumë “sh” e “ç” si gjuhë dhe ai nuk arrinte dot të përsëriste një togfjalësh. I mërzitur, në shenjë trishtimi shfryu duke thënë “O Zot, o Zot çfarë gjuhe”, mësuesja doli duke qarë dhe në klasë hyri një drejtues i shkollës për të na qortuar”… Shqiptarët e Koresë së Veriut nuk kishin shkelur asnjë ligj duke iu drejtuar Zotit, ndonëse jetonin në një vend ku feja është e ndaluar (e megjithatë jo i shpallur zyrtarisht si Republikë Ateiste si Shqipëria në vitin 1967). Ata, thjesht nuk e dinin se “Xot”, në koreanisht, i thonë gjenitaleve të mashkullit…

Kulti i individit, absurditet dhe mënyrë jetese – E ndërsa kurioziteti për këtë vend të largët dhe kaq unik në historinë e mënyrës së tij të jetesës nuk mund të shuhet kurrë, natyrshëm biseda nuk mund të mbetet pa disa referenca historike e aq më pak politike. Koreja e Veriut, sot një vend diktatorial e ndonëse jo i vetmi komunist, pas Kubës, Kinës, Vietnamit dhe Laosit, është i vetmi ku komunizmi ka fituar tiparet e një monarkie absolute dhe të trashëgueshme, ku babai i lë pushtetin të birit dhe kështu me radhë, duke krijuar një dinasti falë një kulti individi të përpunuar në mënyrë pabesueshmërisht efikase, nëpërmjet propagandës dhe frikës.

Kulti i individit është një tipar i të gjitha diktaturave, por mbase asgjëkundi ai nuk është i njëjtë me atë të Koresë së Veriut. E për të kuptuar shoqërinë e Shkëlqim “Kim” Zeqos dhe grupit të shqiptarëve me Kim Jong-Ilin, mbase më përpara duhet shpjeguar se kush ishte ai për koreanoveriorët e tjerë. “Sot, në Penian, përveçse dy statujave gjigante kushtuar dy liderëve, Kim Ir-sen dhe Kim Jong-il, e dy muzeve me përmasat e një stadiumi për secilin, ka dhe absurditete që ne nuk i kemi pasur kurrë, pavarësisht faktit se kishim një prej regjimeve diktatoriale më të ashpra të kohës. Për shembull, Kim Ir-seni ka lindur në një fshat, jo larg Penianit. Në atë fshat, kur ai u bë i pari i vendit, 5 mijë banorët i shpërngulën dhe fshati u bë muze, në mënyrë që t’u tregojë të gjithë brezave në vazhdim se ku kishte lindur lideri i tyre, ku luante kur ishte i vogël, ku mbushte ujë, ku shkonte për shëtitje…”, rrëfen Zeqo, profesor i Universitetit Politeknik në Tiranë dhe i Universitetit të Prishtinës. “Në jug të vendit, gjatë luftës ka qenë një kamp përqendrimi, ku mijëra koreanoveriorë u mbajtën të burgosur e shumica e të cilëve u vranë nga koreanojugorët e amerikanët gjatë Luftës Koreane të viteve 1950-‘53”, vazhdon “Kimi. “Në këtë kamp mund të shohësh gjëra rrëqethëse. Në një vend është një gropë e hapur me eshtrat e 300 grave që u groposën të gjalla dhe pranë tyre një gropë me eshtrat e 100 fëmijëve të këtyre grave, të varrosur të gjallë edhe ata. Mund të shohësh krematoriumet, furrat e mëdha që i digjnin njerëzit e gjallë. Këto janë krime që jo të gjithë i njohin nëpër botë, e çdo njeri që mund t’i vizitonte, do t’i trazohej stomaku e do të zbehej vetëm nga pamja rrëqethëse. E megjithatë, në mes të kësaj pamje të kobshme, ajo që të vënë në dukje udhërrëfyesit është diçka tjetër. Në mes të kampit, ndodhet e mbuluar me xham një tavëll me një cigare të lënë përgjysmë. Ajo është cigarja që Kim Ir Senit nuk piu dot deri në fund, kur vizitoi kampin e me krenari do të të thonë se lideri u trondit aq shumë, sa që e pati të pamundur të tymoste, a thua se kjo ka ndonjë rëndësi sadopak impresionuese”.

Shoqëria me Kim Jong-ilin – Përpara se të tregojë historinë e tij më të veçantë të jetës, atë të njohjes me adoleshentin që do të bëhej diktator si babai i tij më përpara, “Kim”-i shqiptar tregohet i kujdesshëm të të bëjë një leksion të shkurtër historik. “Jong-ili lindi në vitin 1943, pak muaj para meje. Kur ishte ende 6 muajsh, gjatë Luftës së Dytë Botërore, nëna iu vra gjatë një bombardimi dhe babai, që ishte drejtuesi i partizanëve dhe nuk mund të kujdesej për të birin, e dërgoi në Bashkimin Sovjetik, ku për të kujdeseshin aleatët e tij. Pasi lufta mbaroi, Kim Ir Seni mori një grua të dytë me të cilën bëri një vajzë të vetme dhe i biri kthehej në Kore vetëm në periudha të shkurtra deri sa përfundoi të gjithë studimet në Bashkimin Sovjetik, përpara se të rikthehej në Korenë e Veriut për të vazhduar shkollën e lartë, në të njëjtin vit me të cilin ne nisëm studimet”.

Por, si ishte “princi” 18-vjeçar i asaj diktature absolute. Në fjalët e mikut të tij shqiptar, një djalë i thjeshtë, por njëkohësisht fodull dhe me një kulturë të ndryshme nga koreanët e tjerë. Ai nuk të jepte përshtypjen që ishte i biri i “babait”, por njëkohësisht i pëlqente të qëndronte më shumë me studentët e huaj, ndërsa koreanët vendas nuk i ngjisnin shumë dhe miqtë e tij të vetëm koreanë ishin ata të cilët kishin një prejardhje japoneze, nga ai grup koreanësh të cilët kishin emigruar në Japoni para se Japonia të kishte pushtuar Korenë. Midis disa qindra studentëve të huaj që studionin në Penian në atë kohë, shqiptarët kishin disa specifika që mbase e bën Jong-ilin që të tërhiqej prej tyre në mënyrë të pakuptueshme. E para, grupi i studentëve tanë ishte i vogël dhe formimi i shoqërive më i lehtë, se sa me grupet e rusëve e studentëve të tjerë nga ish-vendet komuniste, që kishin ardhur me qindra syresh. E dyta, por më e rëndësishmja, ne ishim prishur me Bashkimin Sovjetik dhe studentët e dinin se ishte e “udhëzueshme” që të mos shoqëroheshin me shokët e tyre rusë e sllavë. Kjo i bënte ata të fitonin joshjen e djelmoshave rebelë dhe Kim Jong-ili, i cili nga jeta në Rusi vetëquhej me emrin rus Jura, me sa duket u ndie i tërhequr pas kësaj.

“Ai nisi të shoqërohej me ne shqiptarët, mbi të gjitha me 3-4 prej nesh. Qëndronim bashkë dhe frekuentoheshim shpesh. Ai nuk pyeste shpesh për Shqipërinë dhe sillej njësoj si një më shumë në shoqëri. Ne të gjithë e dinim se kush ishte, por askush nuk e mendonte se kush do të bëhej dhe fuqinë që mund të kishte në dorë Jong-ili, e kuptuam me kalimin e kohës. Prova e parë e kësaj fuqie ishte kur na ftonte, me shpenzimet e tij që të dilnim mbrëmjeve në ndonjë restorant, pasi edhe ai nuk ishte shumë i mësuar me ushqimin vendas fillimisht. Kur vinte fatura, gjithmonë paguante Kimi, por asnjëherë me para në dorë. Ai thjesht vendoste firmën në faturë dhe ne iknim. Në një vend me një kult të tillë personi, drejtuesi i vendit ishte hyjnor dhe gjithçka që lidhej me të gjithashtu. Këtë e kupton gradualisht, e mbase asnjëherë jo tërësisht, por kështu funksiononte”.

“Më pas, Kimi nisi të na tërhiqte në mbrëmje vallëzimi. Ne na pëlqenin vajzat dhe atij gjithashtu. Mbrëmjet ishin kontaktet më të mira për të njohur vajza të reja. Kimi na kishte sistemuar edhe në vilat qeveritare të shtetit, ato që përdoreshin për të pritur zyrtarë të rëndësishëm. Veçse, nuk na sistemonte në një vilë, por secilin prej nesh në një vilë të ndryshme. Ky ishte Jong-ili. Në vitet e fundit, megjithatë, mes meje dhe tij ndodhi një zënkë, për shkak të një keqkuptimi. Shkëmbyem disa fjalë. Më mbajti mëri dhe nuk më foli disa muaj. Më pas u ribëmë miq, por kurrë më nuk fituam marrëdhënien e mëparshme”, thellohet në kujtime personazhi ynë.

Ai nuk do ta thotë ekzaktësisht atë që shkaktoi këtë zënkë, por e thjeshtë të nënkuptosh se gjithçka kishte në zanafillë një vajzë. Vite më pas, vështirë se mund të shpëtoje gjallë nëse Jong-ilit do t’i mungoje respekt, e as që imagjinohej ta cenoje apo të flirtoje me vajzën që ai do të kishte zgjedhur, por në ato vite, Kimi ishte 20 vjeç. Ashtu siç shqiptarët nuk e kishin kuptuar aq mirë se kë kishin përballë, as ai, mbase nuk e kishte kuptuar ende se çfarë përgjegjësish e autoriteti do t’i linte babai mbi shpinë…

Koreja e Veriut sot, një shpjegim për diktaturën – Ka disa gjëra në jetë, që mund t’i imagjinosh, por mbase kurrë t’i kuptosh tërësisht. Koreja e Veriut, për Kimin shqiptar, është si ajo dashuria e rinisë, shumë e fortë, por e lënë pas, e humbur në rrugën e gjatë të jetës. Në vitin 1965, Shkëlqimi do të kthehej në Shqipëri, për të mos shkuar kurrë më në vendin ku kaloi pesë vite të jetës së tij. I vetmi kontakt për zotin Zeqo, ishte kur një dekadë më parë iu afrua pranë Penianit të tij të dashur, në një vizitë në Korenë e Jugut. E ndërsa jeta për personazhin tonë në Shqipëri vazhdoi, e tillë vazhdoi edhe për Kim Jong-ilin. Ai zëvendësoi babain në rolin e diktatorit, në vitin 1994 (edhe pse në të vërtetë i kishte marrë kompetencat e drejtimit të vendit shumë më herët, diku nga mesi i viteve 1980), e drejtoi vendin gjatë krizës më të thellë ekonomike që ka njohur Veriu që pas Luftës Koreane, në mesin e viteve 1990 dhe që besohet se i kushtoi jetën mbi 3 milionë shtetasve për shkak të zisë së bukës. Ai udhëhoqi një sistem represiv, duke u bazuar gjerësisht në policinë sekrete, gulaget, terrorin psikologjik, por Kim Jong-il njëkohësisht është edhe arkitekti i një Koreje të Veriut fuqi bërthamore, e aftë të dërgojë satelitë në hapësirë dhe të shndërrohet në një kërcënim serioz për komunitetin ndërkombëtar. Në njëfarë mënyre, Jong-il ishte ai që siguroi mbase themelet e regjimit të tij, pasi armët bërthamore i japin një garanci të fortë për mosndërhyrje nga jashtë, tashmë sot të birit, Kim Jong-unit.

E megjithatë, përpara se të bëhej diktator, Kimi, ai koreanoveriori, ishte një djalosh që i pëlqente jeta, i pëlqente vallëzimi, i pëlqente shoqëria dhe vajzat. Atij i pëlqente të argëtohej, i pëlqente të jetonte mirë, të jetonte si i barabartë midis të tjerëve, pavarësisht akseve të pabesueshme që kishte në vendin e tij adoleshenti i paracaktuar për “fronin” e babait. E ndaj, natyrshëm lind pyetja, e bën diktatori sistemin apo sistemi diktatorin?

Shkëlqimi është i kujdesshëm që të mos bjerë në këtë kurth dialektike. Sipas tij, diktaturat janë një fenomen, që lindin në një shoqëri që i toleron këto regjime. Në rininë e tij, ai u përball tërthorazi ose drejtpërsëdrejti me kultin e individit, me kulturën e nënshtrimit, por mbi të gjitha, me kulturën e kombit korean. Ai kujton se nëse refuzoje të përsërisje një provim në të cilin kishe një notë kaluese, por ku profesori çmonte të të fuste edhe një herë në provim për të të mos të prishur notat, bëheshe problem në ambasadë, aq e padëgjuar ishte që një student të kundërshtonte një profesor. Një kulturë ku eprori ka gjithmonë të drejtë, por edhe veçanërisht e ftohtë. “Janë disa gjëra ku një diktaturë nuk mund të ndërhyjë”, beson Shkëlqimi. “Nuk do ta harroj kurrë, shokun tim të dhomës në konvikt, një korean që kujtonte se pesë vëllezërit, tre motrat dhe dy prindërit i kishin vdekur të gjithë gjatë një bombardimi në Luftën Koreane. Dhjetë vjet më pas, ia beh vëllai në konvikt, njëri prej tyre kishte shpëtuar dhe askush nuk e dinte deri në atë ditë se kishte një vëlla gjallë. Reagimi i tij? Një përqafim, një bisedë 10 minutëshe dhe një shtrëngim duarsh. Vëllait i duhet të kthehej në qytetin ku banonte. Shoku im i dhomës, kishte shumë për të studiuar….”.

Mos vallë ishte edhe këtu diktatura ajo që të pengon një përqafim, mos vallë është regjimi ai që të zhvesh nga çdo ndjenjë? A mos vallë është përsëri komunizmi që të bën të akullt? Korenë e Veriut nuk do të mund ta kuptojmë kurrë tërësisht, as Shkëlqimi nuk e ka kuptuar dhe mbase, as vetë diktatorët që sundojnë këtë vend nuk e kanë bërë plotësisht. Siç kujton personazhi ynë, tollona kishte në vitet më të arta, ato 1960, për absolutisht gjithçka, nga veshje, ushqim dhe produkte të tjera bazë e deri për televizorë, mobilie e autorizim për vendin e jetesës. Mirëqenia gjithmonë e ulët, shto 7-12 vjet ushtri të detyrueshme për meshkujt (prej një dekade tashmë edhe për femrat), menjëherë pas përfundimit të shkollës së mesme. Vitet më të bukura të jetës të shkuara në përgatitje për t’u mbrojtur nga një armik imagjinar, nga një sulm që s’do të vijë kurrë, skamje, kujdes për të mbajtur gojën mbyllur gjithmonë, e përsëri…. asgjë. Pa dyshim, asnjëherë nuk është e lehtë të ngrihesh në revoltë përballë një diktature. Por, nga ana tjetër, diktatura njerëzimi ka njohur gjithmonë, e ato po gjithmonë janë shembur. Diktaturat komuniste, u shembën pothuajse kudo dhe argumenti që “nuk ishte aq keq sa në Korenë e Veriut” është i pamundur të provohet.

Mbase, një ditë kjo do të ndodhë edhe në Korenë e Veriut, por sidoqoftë, komunizmi dhe diktatura nuk shpjegojnë gjithçka. Koreja e Veriut nuk është një komb i prapambetur, por një komb i mbetur pas në kohë. Një bashkim unik, i një kulture që vjen nga mesjeta, i një kulture samurajësh (në Japoninë me të cilën lidhjet kulturore janë aq të thella sa shpesh të pandashme), i një kulture ku prijësi është perëndi, ku vetëvrasja parapëlqehet përpara humbjes në luftë, ku nderi, kodi i sjelljes, bashkuar me një tiran dhe një regjim represiv, prodhojnë një diktaturë, por jo si ndonjë që ne njohim, fatkeqësisht edhe mjaft mirë. Kjo, është një diktaturë “made in Kore e Veriut”.

Pasi të tregon këtë histori, Shkëlqimi largohet mes turmës së njerëzve, në një rrugë të zakonshme të Tiranës. Ai rikthehet të jetë ai burrë i qeshur, shtatshkurtër dhe me një pamje fisnike, por pa asgjë realisht të ndryshme në dukje nga kalimtarët e tjerë. Ironike, pa asgjë të ndryshme në dukje ishte edhe ai diktator të cilin e bëri shok, e me të bashkëbisedoi, ëndërroi për të ardhmen dhe ndau të njëjtën tryezë buke. Një mesazh i qartë se diktatorët nuk lindin, ata bëhen e për këtë, në një mënyrë apo një tjetër, përgjegjës mbase nuk janë ata vetë, por e gjithë shoqëria në të cilin ata jetojnë. Kur ishin 18 vjeç, të dy Kimat ishin aq të ngjashëm, pëlqenin të njëjtin ushqim, të njëjtit njerëz, të njëjtat femra, të njëjtat pasione. Njëri, u bë profesor e tjetri diktator, por mbase asnjëri prej tyre nuk e zgjodhi tamam këtë. As i pari, të cilit i ra lapsi dhe as i dyti, që nuk mund të bënte ndryshe. Ironike, por edhe Jong-il, ishte viktimë e sistemit që babai i tij themeloi dhe që ai përforcoi. Përsëri e pamundur për të marrë një përgjigje, a e prodhon sistemi diktatorin apo ai sistemin? Mbase, përgjigjja e saktë është se atë e prodhojmë vetë ne.

Gazeta “Shqip”

Top Channel