Plumbat nga Lazarati plagosin 2 të rinj

24/09/2013 00:00

Dy të rinj janë plagosur në orët e mbrëmjes në fshatin Derviçan të Gjirokastrës nga të shtënat e armëve që vijnë nga fshati Lazarat, në të cilin prej vitesh nuk hyn dot policia.

Dy të rinjtë, njëri prej tyre nipi i ish-ministrit Spiro Ksera, janë plagosur teksa ishin duke luajtur para kishës së fshatit. Fatmirësisht ata kanë marrë mjekim dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Policia e Gjirokastres thotë se banorët e Lazaratit qëllojnë me armë shpesh për të mbrojtur plantacionet me kanabis në fshatin e tyre. Kjo ngjarje ka sjellë edhe protestën e banorëve të Derviçanit, të cilët deklarojnë se plumbat e Lazaratit po u kërcënojnë jetën dhe kërkojnë nga autoritetet shtetërore që të ndërhyjnë.

Kjo nuk është hera e parë që plumbat që lëshohen nga Lazarati plagosin banorë të zonave përreth. Prej vitesh policia nuk hyn në këtë fshat, pasi të gjithë kultivuesit e kanabisit janë të armatosur dhe ata bëjnë roje në fshat gjatë 24 orëve.

Të pozicionuar në male ata kontrollojnë çdo lëvizje të mjeteve dhe njerëzve që mund të hyjnë në fshat. Policia ka mundur të bllokojë vetëm punëtorët që hyjnë në fshat për të punuar në parcelat me kanabis, ka ndaluar mjetet me pleh dhe ujë, por deri tani nuk ka mundur të ndërhyjë në fshat.

Top Channel