Rama: Mobilje origjinale italiane, kalben në depo

23/09/2013 00:00

Vijon debati në distancë për godinën e Kryeministrisë mes kryeministrit
Edi Rama dhe paraardhësit të tij Sali Berisha. Rama ka publikuar foto të
reja në rrjetin social “Facebook”, për gjendjen në të cilën e gjeti
godinën e Këshillit të Ministrave, pasi u ndërrua pushteti.

Këtë herë, kryeministri ka publikuar disa fotografi të mobileve origjinale të Kryeministrisë, që siç shprehet ai kalben në depo, pasi ishin zëvendësuar “me sende të blera në pazarin e vulgariteteve”.

“Mobilje origjinale të fillimviteve ’40, prodhuar enkas në Itali për godinën e Kryeministrisë, që kalben në depo bashkë me vlerën e tyre të rrallë estetike e historike. Këto e të tjera vlera të shkatërruara plotësisht apo të zhdukura pa gjurmë, janë zëvendësuar me gjithëfarë sendesh të blera në pazarin e vulgariteteve”,- shkruan Rama.

Një ditë më parë, ish-kryeministri Sali Berisha shkroi në “Facebook” se selia e qeverisë ka marrë vlerësime nga personalitete të huaja, të cilat kanë vizituar Tiranën. Sipas tij, pas ardhjes së Ramës në godinën e qeverisë u rrëzuan muret, suvatë, parketet dhe tapetet.

Top Channel