Polemika për fotot e Kryeministrisë

23/09/2013 00:00

Polemikat në rrjetet sociale për disa fotografi të godinës së Kryeministrisë, që u postuan nga shefi i qeverisë Edi Rama, u pasuan të hënën me qëndrimin zyrtar të Partisë Demokratike.

Disa ditë më parë Rama postoi disa foto, përmes të cilave tregoi gjendjen e mjerueshme të mjediseve të Kryeministrisë në momentin që qeveria parardhëse dorëzoi pushtetin.

Nuk vonoi dhe po përmes Facebook, ish-kryeministri Berisha postoi foto të tjera, që sipas tij tregonin një Kryeministri jo siç e prezantonte Rama.

Kryeministri u përgjigj sërish me të tjera foto, që sipas tij nuk ishin dinjitoze për selinë e qeverisë, ndërsa Partia Demokratike sot reagoi zyrtarisht përmes deputetit Oerd Bylykbashi, i cili i shtroi disa pyetje zotit Rama për shpenzimet që po bën në selinë e Kryeministrisë.

“Po i bëjmë disa pyetje dhe urojmë të japë përgjigje me fjalë e jo me foto. Cili titullar i Kryeministrisë ka urdhëruar blerjen e objekteve të reja dhe shërbimeve? Nëse është dhurim, a ka një propozim për dhurim? Dhe nga kush është dhuruar? Rama nuk do t’ia dijë për shtetin e së drejtës. Për Ramën ligjet e shtetit s’ekzistojnë”, deklaroi Bylykbashi.

Top Channel