Peleshi: Integrimi, sfida jonë

23/09/2013 00:00

Zëvëndëskryeministri Niko Peleshi zhvilloi të hënën një takim me kreun e delegacionit të BE-së, Ettore Sequi, ku parashtroi vizionin e qeverisë për proceset integruese, duke e quajtur një sfidë.

“Kam shprehur qëndrimin dhe filozofinë e qeverisë shqiptare se për ne kriteret e integrimit nuk konsiderohen si kushte, por si sfida. Sepse suksesi i qeverisë shqiptare do të konsiderohet fitues atëherë kur rezultatet të përshtaten me kërkesat e BE-së”, deklaroi Peleshi.

Nga ana e tij Sequi vlerësoi vizionin e qeverisë Rama dhe angazhimet për reformat e duhura drejt rrugëtimit europian. “Vizioni është një vizion evropian, tepër ambicioz dhe shumë modern. Në qendër të tij është transformimi i thellë që ofron integrimi në BE. Ne diskutuam dhe reformat që duhen ndjekur më pas. Ne ofrojmë mbështetjen tonë të plotë të këtij vizioni dhe mbështetjen tonë për Shqipërinë dhe për zotin zv.kryeministër për te ecur përpara  në këtë drejtim”, deklaroi Sequi.

Gjatë paradites së të hënës, ambasadori Sequi u takua edhe me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, të cilit i tha se ndodhet përballë një sfide tepër të madhe, por ka mbështetjen e Bashkimit Europian.

“Ministri më foli për disa reforma që dëshiron të vërë në zbatim. Janë reforma mbresëlënëse dhe besoj se kanë për ta bërë policinë me efikase. Ministria e Brendshme luan një rol kritik përsa i përket një sërë prioritetesh për integrimin në BE, mes të cilave lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ministri Tahiri ka një sfidë shumë të madhe përpara, por ai ka mbështetjen e Bashkimit Europian”, u shpreh Sequi.

Top Channel