Jeni nxituar z.drejtor i SHISH-it

23/09/2013 00:00

PETRIT ZAMBAKU – Këtë herë media shqiptare ia ka dalë të nxjerrë nga
heshtja dhe të tërheqë në “vallen” e saj Shërbimin Informativ Shtetëror.
Këtë herë ajo ia ka dalë ta tërheqë SHISH-in në fushën e saj, pikërisht
aty ku ajo është më e fortë, madje e pathyeshme.

Gjithçka ka nisur me publikimin në një të përditshme të “lajmit” se drejtori i SHISH-it, z. Visho Ajazi, është takuar fshehurazi në Pakistan me një zonjë të quajtur Ollga, e cila mendohet të ketë lidhje me shërbimin e fshehtë rus. Madje flitet edhe për një foto, e cila (lajmi e do) të ketë rënë në dorë të shërbimeve të huaja, të cilat ia kanë dorëzuar Presidentit të Republikës.

Pas ripublikimit nga disa agjenci të tjera shtypi, ky “lajm” ka detyruar Shërbimin Informativ Shtetëror të reagojë në mënyrë institucionale. Në faqen e tij zyrtare është publikuar një njoftim (pa datë) me anën e të cilit përgënjeshtron ato që thuhen në media dhe siguron se do të ndërmerren të gjitha hapat e duhur ligjorë për vendosjen para drejtësisë së autorëve të këtyre shpifjeve, duke iu drejtuar institucioneve kompetente.

Në pamje të parë duket sikur çdo gjë është normale dhe se SHISH-i, siç citohet në njoftim, po vepron i diktuar nga intensiteti në rritje i publikimit të informatave të rreme, si dhe nga detyrimi ligjor për të mbrojtur veprimtarinë e punës së institucionit. Por nëse e shikojmë në këndvështrimin e duhur këtë çështje, mendoj se drejtori i SHISH-it me ose pa dashje ka krijuar një precedent anormal duke iu kundërpërgjigjur, madje me ton kërcënues medias. Tani loja e akuzave me ose pa bazë rrezikon të vazhdojë pambarimisht, madje edhe nga botues të tjerë të interesuar për të tërhequr vëmendjen e lexuesit.

Unë mendoj se nuk është në interes të SHISH-it, si institucion dhe të drejtuesve të tij të hapë “luftë” me median. Gjithashtu mendoj se Drejtori i SHISH-it mund të kishte ndjekur një rrugë më të drejtë, atë institucionale për t’u mbrojtur, duke filluar me sqarimin deri në detaje të situatës së krijuar dhe vënien e tyre në dispozicion të Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, si eprori i tij i drejtpërdrejtë, duke i kërkuar dhe rekomandimet përkatëse për veprimet e mëtejshme. Më pas është Kryeministri ai që mund të reagojë në mbrojtje të vartësit të tij, duke dhënë garanci për median dhe publikun mbi gjykimin e paanshëm të çështjes.

Më tej, nëse dhe ky hap gjykohet i pamjaftueshëm nga politika dhe përfaqësuesit e popullit në Kuvendin e Shqipërisë këmbëngulin për transparencë më të gjerë, atëherë çështja mund të shqyrtohet në Komisionin e Sigurisë Kombëtare, nga ku drejtori i SHISH-it merr një garanci dhe mbrojtje të mëtejshme nga ato që ai i cilëson shpifje. Qëndrimi i Komisionit të Sigurisë do të shërbejë si një “certifikatë” për vazhdimësinë e punës së tij në të ardhmen. Por në rastin kur dhe kjo masë rezulton e pamjaftueshme atëherë është Kuvendi i Shqipërisë që shqyrton mundësinë për krijimin e një komisioni parlamentar për hetimin e çështjes.

Duke gjykuar mënyrën e reagimit të drejtorit të SHISH-it në këtë rast mendoj se ai ka ndjekur rrugën më të shkurtër dhe joproduktive, duke futur institucionin në konflikt me median, qofshin ato dhe “dashakeqëse” apo “tendencioze” ndaj tij.

Nëse shikojmë me kujdes ligjin që normon veprimtarinë e SHISH-it, mund të arsyetojmë edhe më tej, se me këtë veprim mund të jetë shkelur dhe neni 19 i vendimit të qeverisë shqiptare, “Për Kodin Etik”, që e ndalon anëtarin e Këshillit të Ministrave të ngrejë padi civile ose të bëjë kallëzim penal kundrejt një mediaje të caktuar, apo përfaqësuesit të saj pa marrë më përpara miratimin e Kryeministrit apo të Këshillit të Ministrave. Kjo vjen për arsye se në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998 “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar në nenin katër thuhet: “Shërbimi Informativ Kombëtar është institucion qendror, që varet nga Kryetari i Këshillit të Ministrave”. Ndërsa në paragrafin e fundit të nenit pesë thuhet: “Statusi i tij (Drejtorit të SHISH), për efekte trajtimi ekonomik, njësohet me atë të një ministri…”. Mendoj se këta dy paragrafë të ligjit e detyrojnë drejtorin e SHISH-it të marrë paraprakisht miratimin e Kryeministrit për të bërë një reagim të tillë.

Në përfundim dëshiroj që reagimi im mbi këtë çështje të vlerësohet si një përpjekje e imja për të kontribuar në gjetjen e rrugëve të duhura ligjore dhe institucionale për ruajtjen e dinjitetit të SHISH-it si institucion i sigurisë kombëtare dhe të drejtuesve të tij pa dallim.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA