Bushati: Ja prioritetet e diplomacisë

23/09/2013 00:00

Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, në një intervistë për VOA ka prezantuar prioritetet e diplomacisë shqiptare, mes të cilave ka spikatur ai për integrimin evropian.

“Objektivi ynë konkret është fillimi i bisedimeve për anëtarësim. Do punojmë për të afruar sa më shumë këtë datë dhe të nisim bisedime serioze me BE-në”, ka deklaruar Bushati.

Ndërsa në rrafshin diplomatik, ministri i Jashtëm e ka vënë theksin tek përmirësimi i marrëdhënieve me fqinjët dhe tek forcimi i partneritetit strategjik me ta.

“Qeveria shqiptare dëshiron të hapë kanal të ri komunikimi me Greqinë. Me Greqinë çështjet që nuk janë trajtuar duhet të marrin zhvillim. Jemi të detyruar të mbajmë marrëdhënie të mira me fqinjët tanë”, ka thënë Bushati, duke shtuar se vëmendje do t’i kushtohet edhe raporteve me Turqinë.

“Turqia, partneri ynë strategjik, do të shërbejë si urë lidhëse mes lindjes së Mesdheut dhe Ballkanit”, ka sqaruar Bushati, i cili ka përsëritur se “Zero probleme me fqinjët” do të jetë motoja e qeverisë së re.

Shefi i diplomacisë shqiptare ka vlerësuar më tej se në këto drejtime, dikasteri i tij do të ketë asistencën e Shteteve të Bashkuara, e cila do të ofrojë taktika të reja në marrëdhëniet me jashtë.

“Asistenca e vazhdueshme nga SHBA do të ndihmojë për një qëndrim strategjik solid dhe në aplikimin e teknikave të reja të diplomacisë publike. Shërbimi me jashtë duhet të strukturohet në funksion të anëtarësimit në BE”, ka shtuar Bushati.

Top Channel