Agjencitë e pronave dhe bregdetit, brenda tre javëve

21/09/2013 00:00

Brenda tre javëve do të ketë një strukturë të re të agjencive që do të
merren me pronat dhe turizmin. Një grup ekspertësh po punojnë për të
parë mundësinë e krijimit të një super agjencie, e cila do të trajtojë
në një të vetme bregdetin, çështjet e pronësisë dhe të legalizimeve.

Sipas burimeve mësohet se brenda tre javëve do të realizohet struktura e re. Ekspertët socialistë tashmë kanë përgatitur dy variante: njëra çështjet e pronësisë dhe legalizimet të trajtohen në një të vetme, kurse tjetra krijimi i mëvetshëm i agjencisë që do të merret me çështjet e Bregdetit.

Ekspertët janë më pranë variantit të krijimit të një agjencie më vete për problemet e bregdetit. Nisma pritet të konkretizohet brenda tre javëve, shprehen burimet, duke bërë që qeveria “Rama” t’i kushtojë një vëmendje më të madhe Bregdetit.

Rishikimi apo riformatimi i institucioneve si Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ALUIZNI, Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Inventarizimit dhe Transferimit të Pronave Publike janë pjesë e procesit të reformave që qeveria “Rama” ka shpallur në programin e saj.

Kësaj reforme do t’i shërbejë dhe rishikimi i Strategjisë Ndërsektoriale në Fushën e të Drejtave të Pronësisë 2012–2020 për të përcaktuar hapat konkretë dhe prioritarë për t’i dhënë fund kaosit në administrimin e pronave publike dhe private. Për zgjidhjen e këtij problemi, qeveria synon të krijojë Regjistrin Kombëtar Elektronik të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si një regjistër efektiv dhe efikas që u shërben institucioneve publike, atyre private dhe individëve.

Ditët e fundit është ndërmarrë një aksion për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonën e bregdetit. Kohë më parë, në një intervistë për gazetën “Shqip”, Auron Tare deklaronte nevojën e kësaj ndërhyrjeje në zonat bregdetare, veçanërisht në perlën e Jugut të Shqipërisë. “Ndërhyrja në bregdet do të fillojë me krijimin e autoritetit shtetëror të bregdetit, një njësi operative që do të merret ekskluzivisht me problemet e mëdha të bregdetit shqiptar. Ngritja e një institucioni të tillë ishte një nga premtimet e Partisë Socialiste në fushatë dhe siç e shikoni, ky premtim bëhet realitet menjëherë. Me krijimin e këtij institucioni do të fillojë puna për identifikimin e problemeve të mëdha që ka sot bregdeti shqiptar dhe dhënia e zgjidhjeve reale për përmirësimin e situatës aktuale. Ndërtimet pa leje sigurisht do të prishen pa asnjë mëdyshje, por problem nuk janë vetëm ndërtimet pa leje. Janë një sërë çështjesh shumë më të mprehta dhe më të thella, të cilat e dëmtojnë seriozisht ndërtimin e një turizmi modern në bregdetin shqiptar. Mbrojtja e pronës publike në bregdet, ruajtja e karakterit të saj natyror dhe disponueshmëria e saj për nevojat publike duhet të jenë çështje të rëndësisë kombëtare”, shprehej Tare. Qeveria “Rama”, në programin e saj, u ka kushtuar një vëmendje të veçantë legalizimeve. Sipas programit të qeverisë, do të rishikohet edhe legjislacioni në fuqi lidhur me legalizimin e ndërtimeve informale. “Do të shpallet Momenti ZERO, pas të cilit çdo ndërtim është subjekt prishjeje të menjëhershme, do të realizohet pa pagesë legalizimi i banesave pa leje në zonat informale dhe do të hartohet dhe zbatohet Programi për Bregdetin e Jonit, që konsiston në pastrimin e territorit nga informaliteti dhe keqpërdorimi e do të paraqesë modelet e para të rigjenerimit të qëndrueshëm të hapësirave urbane dhe natyrore me potencial turistik”, thuhet në program.

Top Channel