A mundet Rama të ndryshojë vendin?

21/09/2013 00:00

Mundet Edi Rama ta ndryshojë vëndin e pashpresë duke u bërë ylli kësaj emergjence? Me këtë pyetje e nis një analizë të gjatë revista prestigjoze amerikane “Foreign Policy” për situatën në Shqipëri dhe qeverisjen e re të kryeministrit Rama.

“Një lajm i mirë nga një cep i botës. Të dielën e shkuar Edi Rama nisi punën si kryeministër i vendit”. Kështu e nis artikullin me titull “Basketbollisti”, gazetari James Traub.

Fillimisht “Foreing Policy” në artikull sjell detaje nga karriera politike e kryeministrit 49-vjecat të Shqipërisë duke u ndalur në fitoren e thellë ndaj rivalit Sali Berisha.

“Rama ka jetuar në Paris, ish-pjesëtar i kombëtares shqiptare në basketboll, kjo një provë e inteligjencës së disafishtë. Për tre mandate kryebashkiak i Tiranës, udhëheqës protestash, një politikan i matur, me një mjekërr të stilit bohemian, reformator i dedikuar, ndoshta gjëja më e mirë që i ka ndodhur Shqipërisë për një kohë tejet të gjatë”, kështu e përshkruan revista amerikane kryeministrin e ri të Shqipërisë.

Duke konstatuar problemet që ndeshet qeveria e Ramës gazetari James Traub shkruan: “Vetëm Zoti e di nëse vendi mund të ndalet pasi Shqipëria është afër me vëndet e botës së tretë”.

Artikulli analizon modelin e qeverisjes lokale kur Edi Rama drejtonte Bashkinë e Tiranës duke vënë re ndërtimin e administratës bashkiake me njerëz të shkolluar jashtë që flisnin anglisht larg përvoja të mëparshme politike.

“Rama i cili e përshkroi njëherë politikën shqiptare si “niveli më i lartë i artit konceptual u kthye në Vaslav Havelin e Tiranës”, thekson “Foreign Policy”.

Shkrimi citon Erjon Velinë, Ministër i Mirëqënies Sociale dhe Rinisë
i cili ka deklaruar se “Ne po përpiqemi t’i tregojmë shqiptarëve se duket qartë kur qeveria i shikon ata në sy dhe u thotë: Ne jemi në këtë përpjekje së bashku duke vendosur standardin e transparencës së buxhetit dhe financave të vëndit”.

“Foreign Policy” analizon edhe veprimet e ish-kryeministrit Berisha kur thotë:
“Berisha, një adhurues i madh i tregut të lirë, jo vetëm që ftoi Steve Forbes në Tiranë, por e ktheu Shqipërinë një parajsë forbesiane duke vendosur taksën e sheshtë apo duke privatizuar shumë shërbime publike si energjinë elektrike dhe ujin. Por eksperimenti forbesian, nënvizon revista amerikane, dështoi me sukses pasi sot rritja ekonomike qëndron pezull tek zero.

Në të tilla kushte Rama ka bërë disa premtime si shëndetësi falas, investime në arsim etj,  thuhet në artikull, duke treguar vendosmëri në gjetjen e parave, vendosjen e taksës progresive dhe luftë pa kompromis ndaj korrupsionit.

“Foreign Policy” e quan pozitiv faktin e sjelljes në Shqipëri të kompanisë konsulente britanike Agjentët e Kurorës të cilët reformuan administratën fiskale në Bullgari.

Top Channel