Totti nënshkruan dhe thumbon Juventusin

20/09/2013 00:00

Totti firmos kontratën e re që do ta mbajë të lidhur deri në 2016 me fanelën e Romës dhe thumbon drejtuesit e Juventusit për largimin e Del Pieros.

“Dua të falenderoj presidentin për këtë kontratë, që ishte ajo çka dëshironim që të gjithë, unë dhe shoqëria. Më jep mundësinë që të vazhdoj të mbaj veshur fanelën e vetme për të cilën kam bërë tifo. Kam edhe dy vjet të tjera përgjegjësi mbi supe dhe e di që në këto dy vite mund të bëjmë gjëra të mëdha”, ishin fjalët e para të kapitenit verdhekuq.

Më pas i pyetur nga gazetarët mbi rastin Del Piero tha: “Ai bëri një zgjedhje personale pasi tek Juventusi askush se kontaktoi më, ashtu sikundër bëri Roma me mua dhe më vjen keq për të”.

Kapiteni i Romës, që në përfundim të kontratës së re do të jetë 40 vjeç foli edhe për situatën e futbollit italian e sidomos kalimin e Interit tek miliarderi Thohir.

“Më vjen keq që Moratti do të lërë Interin, por këto janë momente të vështira për të. Pavarësisht kësaj ai do të mbetet një njeri i vërtetë dhe i vlerësuar nga të gjithë, jo vetëm nga tifozët e Interit”, tha ai.

Sa i përket mundësisë për të qenë me kombëtaren në botërorin e Brazilit, Totti tha se për momentin as që e mendon këtë duke shtuar se nëse do t’i vijë ftesa nga Prandelli sigurisht që do të mendohet.

Top Channel