Tahiri shkarkon Llupon dhe Prendin

20/09/2013 00:00

Qeveria e re ka marrë të parin vendim që lidhet me ngjarjet e rënda të 21 janarit ku u vranë katër protuestues. Dy oficerët më të përfolur të atyre ngjarjeve tashmë nuk janë më pjesë e strukturave të rendit.

Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka liruar nga detyra dhe përjashtuar nga strukturat e Gardës së Republikës Agim Llupon. Po kështu, Tahiri i ka propozuar kryeministrit lirimin para kohe nga detyra dhe përjashtimin nga stukturat të komandantit të Gardës, Ndrea Prendi.

Prendi dhe Llupo ishin pezulluar nga detyra në funksion të hetimit të ngjarjeve 21 janarit. Lirimi i tyre para kohe dhe përjashtimi nga strukturat e Gardës së Republikës është bërë me motivacionin e dënimit të tyre penalisht me vendim të formës së prerë të Gjykatës së Apelit Tiranë.

Në një njoftim për shtyp thuhet se, urdhëri i Ministrit të Brendshëm është mbështetur në “Kushtetutën e Shqipërisë”, ligjin “Për Gardën e Republikës së Shqipërisë”, “Rregulloren e personelit” dhe “Rregulloren e disiplinës”.

Dy ditë më parë Gjykata e Apelit dënoi me 1 vit burg Ndrea Prendin, ndërsa Agim Llupon me tre vjet, por asnjëri prej tyre nuk do të vuajë dënimin. Kjo, pasi koha e arrestit shtëpiak për Prendin dhe ajo e paraburgimit për Llupon konvertohet në dënimin që dha Gjykata e Apelit. Vendimi i Apelit shkaktoi një reagim të fortë në një pjesë të opinionit.

Gjykata, e kryesuar nga Agim Bendo, i emëruar në Apel vetëm pak ditë pas zgjedhjeve të 23 qershorit, tre muaj më parë nga KLD-ja, rrëzoi akuzën e vrasjes me dashje, duke i dënuar me katër vite burg gjithësej Prendin dhe Llupon për vrasje nga pakujdesia, një akuzë që nuk ishte pjesë as e hetimit dhe as kërkesë e prokurorisë në të dy shkallët e gjyqësorit.

Top Channel