Krerët e komisioneve, Grupi i PS aprovon kandidaturat

20/09/2013 00:00

Grupi parlamentar i Partisë Socialiste pranoi propozimet e një dite më
parë të kryesisë së partisë për deputetët që do të drejtojnë komisionet
parlamentare, përfshi delegacionet parlamentare në organizatat
ndërkombëtare.

Mbledhja është drejtuar nga kryetari grupit parlamentar Gramoz Ruçi, në mungesë të kryetarit të PS-së Edi Rama, i cili është nisur për në SHBA, ku do të zhvillojë një tur takimesh. Fatmir Xhafaj do të drejtojë Komisionin Parlamentar të Ligjeve, atë Politikës së Jashtme Arta Dade, veprimtaritë prodhuese Eduart Shalsi, të Ekonomisë Erjon Braçe, ndërsa atë të Medias Alfred Peza. Ndërsa një prej komisioneve parlamentare të rëndësishëm ai i Sigurisë Kombëtare pritet të drejtohet nga Spartak Braho.

Nënkryetar i grupit parlamentar socialist, njëkohësisht kryetar i delegacionit parlamentar në BE, është propozuar deputeti Taulant Balla. Postin e nënkryetarit të Kuvendit që i përket PS është propozuar njëri prej aleatëve të majtë, kreu i PBDNJ-së Vangjel Dule, por nuk dihet ende nëse zoti Dule do ta pranojë atë.

Top Channel