Fiksimi i ndeshjeve, lojtarët të frikësuar

20/09/2013 00:00

Një grup futbollistësh britanikë që luajnë në Australi, të cilët po përballen me akuza për pjesëmarrje në fiksim ndeshjesh, deklarojnë se ndihen të frikësuar nga një hakmarrje e mundshme e kreut të sindikatës kriminale të basteve ilegale.

Lojtarët e ekipit Southern Stars u paraqitën të premten në një gjykatë australiane. Disa prej tyre u dëgjuan nga trupi gjykues, ndërsa të tjerët do të dëgjohen në seancë tjetër.

Detektivi Scott Poynder, që ka ndjekur hetimet mbi bastet ilegale, deklaroi se lojtarët kishin thënë në polici se kishin frikë për jetën e tyre dhe për këtë arsye forcat e policisë kanë rrethuar hotelin ku ata po qëndrojnë.

“Disa nga lojtarët aktualisht kanë siguruar dhomën e tyre duke vendosur karrike tek doreza e derës, pasi druhen se i ashtuquajturi “Zoti S” mund t’u dërgojë njerëzit e tij për vizitë”, deklaroi Poynder.

Të gjashtë personat dyshohet se janë përfshirë në fiksime ndeshjesh gjatë kohës që kanë luajtur për ekipin e Melbërnit, Stars, në kategorinë e dytë të Victorian Premier League.

Dyshimet bien për katër ndeshjet e fundit të Stars, ku ekipi pësoi 13 gola dhe nuk shënoi asnjë. Skuadra ka humbur gjithësej 16 nga 21 ndeshje të këtij sezoni, duke fituar vetëm 1 dhe barazuar katër të tjerat.

Federata Australiane e Futbollit deklaroi pak ditë më parë se ka gjasa që rezultatet e Stars për sezonin në fjalë të anulohen.

Top Channel