Në qytetin Studenti, protesta tejkaluese

18/09/2013 00:00

Aleksander Cipa – Prej 16 ditësh në Fakultetin Ekonomik të Universitetit
të Tiranës ka nisur një protestë dhe vazhdon një grevë ku si kurrë
ndonjëherë në këto vite bashkohen me studentët, pedagogët dhe gjithë
drejtuesit e rektoratit dhe fakultetit.

Një grevë- protestë  kundër “diktaturës së betonit” në të cilën janë përfshirë qindra studentë të këtij fakulteti dhe sipas shenjave, po përfshihen edhe mijëra studentë të tjerë të Shqipërisë nga universitetet publike të vendit.

Është hera e parë që pas kaq vitesh në Qytetin Studenti ku mungojnë reagimet për mungesa sociale dhe kushte jetese, po rishfaqet solidariteti masiv për një arsye dhe interes publik. Në Qytetin Studenti në Tiranë po rishfaqet interesi për publiken dhe po i mëshohet jo vetëm verbalisht, por edhe konkretisht nevojës për një reagim solidar ndaj nevojës dhe interesit publik. Por në protestën e studentëve dhe pedagogëve të Fakultetit Ekonomik, në një farë mënyre po risillet imponueshëm në qendër të vëmendjes publike mundësia për të pasur realisht si shoqëri në eficensë mekanizmit e refuzimit qytetar ndaj padrejtësisë apo deformimit, aq më tepër kur kjo padrejtësi ka marrë dimensionin zotërues dhe imponues të një diktature, sikundër është ajo nën të cilën lëngon aktualisht hapësira dhe mjedisi publik shqiptar: diktatura e betonit.

Pas 16 ditësh protestë, studentët dhe pedagogët e Fakultetit Ekonomik ia kanë dalë të vënë në lëvizje reagimin dhe ndërhyrjen institucionale. Në një ndër godinat private në ndërtim është ndërhyrë për bllokimin e punimeve të mëtejshme, ndërkohë që protestuesit vijojnë këmbënguljen për të ndërhyrë dhe bllokuar edhe ndërtime të tjera në hapësirën e Qytetit Studenti.

Kjo mund të përshkruhet si një përplasje e zakonshme në Shqipëri, por vlera e kësaj proteste dhe greve 16-ditore në Tiranë dhe mundësia zgjeruese e saj, ka gjasa të mos mbetet kaq dhe deri këtu. Ndjeshmëria jo vetëm që po zgjerohet dhe përforcohet përmes përfshirjes në të të dhjetëra qytetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile, por edhe në rrafsh kombëtar ajo po përfshin student dhe pedagogë nga të gjitha universitetet publike të vendit.

Pra, studentët dhe pedagogët e Fakultetit Ekonomik po imponojnë një reagim që s’ka të bëjë vetëm me një godinë apo ndërtim uzurpues. Deviza e tyre është formuluar përmbajtësisht dhe në perimetrin e duhur për reagim dhe lëvizje jo vetëm qytetare, por më së shumti institucionale në vend.

Në një shkrim të javës së shkuar në “Shqip”, këtë reagim e konsiderova si “kryengritje kundër diktaturës së betonit”. Në të vërtetë ajo vazhdon të mbetet e tillë dhe si e tillë nuk po e mban më oborri i një fakulteti. Dy ditë më parë në sallën “Liria” të studentëve u performua një mikrokomedi, e cila u parapri nga një cikël fjalimesh të pedagogëve, profesorëve të nderuar jo vetëm prej rektoratit të Universitetit të Tiranës, por edhe të ardhur enkas për të shprehur solidaritet. Kjo protestë studentësh në vetvete po shënon reagimin më masiv dhe më të sinqertë të një targeti shoqëror që nuk shkakton konflikt interesi me kauzën dhe sidomos me qëllimin se deri ku duhet shkuar dhe pse duhet këmbëngulur për të arritur në reagimin dhe ndërhyrjen e plotë institucionale. Në një lexim të drejtpërdrejtë, kauza e studentëve në Qytetin Studenti mund të gjejë pikëtakim me atë premtim të qeverisë së re të Kryeministrit Rama për të shembur betonin e investuar dhe derdhur vend e pa vend në mjedisin shqiptar dhe sidomos në hapësirën e mjedisit urban. Për këtë arsye, ky vërshim dhe kjo këmbëngulje studentësh meriton të lexohet dhe vlerësohen drejt institucionalisht. Nëse merret seriozisht këmbëngulja vijuese e tyre, atëherë, kemi për të parë se një lëvizje e tillë antidiktaturës së betonit do të imponojë masa dhe ndërhyrje që të sjellin në kujtesë aktet e mëdha transformuese të ndërtimeve ndanë brigjeve të Lanës në Tiranë apo sidomos prishjet e ndodhura në akset e rrugës hyrëse në Durrës apo qytete të tjera. Për arsyen se kumti i parë dhe i vetëm i kësaj greve studentësh ka lidhje me betonimin e pafre qytetas në Tiranë, të gjitha palët e shoqërisë le të bëhen mbështetëse dhe solidare. Është e vetmja mundësi për të krijuar një lëvizje që bashkon vullnetin masiv qytetar dhe institucional për një Shqipëri që nis të çlirohet realisht nga diktatura e betonit që u zgjerua dhe u ngul më egër se një regjim në periudhën e këtij tranzicioni.

Një lëvizje e tillë pa përdorime dhe konflikte interesi politik në thelbin e saj mishëron gjithë atë energji të derdhur nga zëra të fuqishëm të interesit publik që gjatë këtyre dy dekadave të fundit kanë qenë të padëgjuar prej vendimmarrësit dhe gjykatat e vendit. Studentit e Fakultetit Ekonomik, po garantojnë një premisë të fuqishme dhe kanë kryer e kanë vendosmërinë për një udhëtim antibeton në Shqipërinë e lodhur dhe të drobitur nga ndërtimi dhe makutëria betonizuese. Është vërtet një protestë tejkaluese jo vetëm për heshtjen e deritanishme në këtë qendër të fuqishme studentore, por që pashmangshmërisht do të mbartë solidaritet reagues në hapësirat urbane të vendit, të cilat lëngojnë dhe janë uzurpuar deri në përmasat ekstreme të dritëzënies. Kjo është një punë dhe shërbesë e fuqishme publike prej atyre studentëve dhe pedagogëve, kjo është fillesë e një fryme që rikthehet më fuqimisht se çdo organizëm tjetër i provuar nga shoqëria civile e vendit. Për këtë arsye, çdo tentativë dhe indiferencë injoruese do të zvogëlojë dhe vërë në vështirësi autorët dhe autoritetet që e manifestojnë atë. Studentët në Qytetin Studenti kanë nisur një lëvizje, jo thjesht një manifestim ditëshkurtër.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA