Napoli rikthehet në Champions

18/09/2013 00:00

Napoli rikthehet pas 575 ditësh në Ligën e Kampioneve, por skuadra italiane do të ketë një përballje të vështirë në startin e këtij sezoni në Champions.

Skuadra e Benitezit do të presë gjermanët e Borussia Dortmundit, ekipi finalist i sezonit të kaluar. Në 7 ndeshje të zhvilluara më parë në shtëpi napolitanët nuk kanë humbur asnjëherë dhe do të kërkojnë patjetër që të mbajnë këtë ritëm edhe këtë sezon.

Një tjetër ndeshje interesante pritet të jetë ajo mes Marseilles dhe Arsenalit, sfidë kjo e vlefshme për grupin F. Falë 2 fitoreve në kampionat, “Topçinjtë” janë më favoritë se francezët, të cilët në 3 ndeshjet e fundit në ligën vendase kanë marrë vetëm 1 fitore.

Një situatë jo shumë e mirë është në klubin e Milanit që do të ndeshet Celtic. Allegri është në vështirësi për të bërë skuadrën pasi ka në dispozicion vetëm 13 lojtarë për këtë sfidë.

Ndeshja tjetër e grupit H është ajo mes Barcelonës dhe Ajaksit, dy skuadra që e kanë fituar nga 4 herë trofeun e Champions.

Nis aventurën në këtë kompeticion edhe Mourinho, i cili do të kërkojë të bëjë maksimumin me Chelsean. Në ndeshjen e parë londinezët do të përballen me Bazelin dhe pritet që në sulm të jetë Samuel Eto’o, ndërsa Fernando Torres do ta nisë nga stoli.

Në grupin G, Zeniti i Luciano Spaletit do të ndeshet me Atletiko Madridin, skuadër e cila po përjeton një moment mjaft të mirë në kampionatin spanjoll.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA