Kush do të kontrollojë gjykatën?

18/09/2013 00:00

Ajo që konsiderohej si një “luftë e heshtur” për ekzsitencën e dy inspektoriateve, i Ministrisë së Drejtësisë dhe Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duket se do të jetë një ndër temat më të nxehta në fushën e drejtësisë për këtë sezon.

Presidenti i vendit, Bujar Nishani, në rolin e kreut të KLD-së, sugjeroi se duhet shkrirë tashme inspektoriati i ministrisë në mënyrë që gjyqësori të fitojë përfundimisht pavarësinë nga ekzekutivi.

“Fakti se ekziston një memorandum bashkëpunimi mes Ministrisë së Drejtësisë dhe KLD-së për shmangien dhe mbivendosjen e kompetencave, tregon se ka ardhur koha që inspektoriati i ministrisë është një strukturë që duhet të shkrihet. Një masë e tillë do përmirësonte pavarësinë e gjyqësorit”, deklaroi Nishani.

Por nuk dihet ende nëse ky sugjerim do të pranohet nga Ministria e Drejtësisë, duke qenë se inspekroriati në varësi të saj vijon të kontrollojë, sikurse edhe inspektoriati i KLD, gjyqtarët në vend. Gjatë mbledhjes së KLD-së u vendos që data katër nëntor të shënojë ditën e parë të fillimit nga puna të Gjykatës Administrative.

“Datën e fillimit të funksionimit të Gjykatës Amdinistrative, kush është dakord me propozimin? Miratohet 4 nëntori. Miratohet edhe rishpallja e aplikimit të gjyqtarëve për më 30 shtator”, theksoi më tej presidenti Nishani.

Ky vednim u dha mbas diskutimeve të gjata mes anëtarëve, të cilët shohin me rezerva se si do të transferohen gjyqtarët në rrethet Vlorë, Korçë, Gjirokastër dhe Fier, në një kohë kur ligji parashikon mostransferimin e gjyqtarit në një rreth tjetër në rast se ai nuk pranon.

Por për ministrin e Drejtësisë Nasip Naço, duke qenë se Gjykata Administrative është një gjykatë e re, gjyqësori ndodhet në fazën e riorganizimit.

“Ne jemi para një fakti që gjykatat në rrethe do të riorganizohen dhe siç e parashikon Kushtetuta, emërimi i gjyqtarëve nuk mund të bëhet pa pëlqimin e tyre. Këtu kemi të bëjmë me një riorganizim tërësor të gjyqësorit dhe propozojmë që të krijohet një seksion i veçantë”, deklaroi ministri i Drejtësisë, Nasip Naço.

Top Channel