Bajerni, deklaratat e Sammer prishin qetësinë

18/09/2013 19:30

Deklaratat e drejtorit sportiv të Bajernit të Mynihut, Matthias Sammer, kanë trazuar ambientin në skuadrën kampione të Gjermanisë dhe të Europës.

Më parë gjatë javës, Sammer tha se në këndvështrimin e tij, skuadra është duke luajtur pa pasion dhe duke u fshehur pas imazhit të Guardiolës.

Në kundpërgjigje, presidenti Uli Hoeness i kërkoi vartësit të tij që të ruajë qetësinë, ndërsa Rummenige transmetoi në mediat një mesazh edhe më të qartë. “Unë nuk jam një mik i kritikave publike. Disa gjëra duhet të mbeten brenda klubit”, tha ai.

“Për mediat kjo është diçka e mirë pasi gjejnë probleme atje ku nuk ka. Mendoj se kjo sjellje nuk i pëlqeu as trajnerit, as skuadrës dhe as neve, drejtuesve të Bajernit”, shtoi Rummenige.

Bajerni ka nisur mirë këtë sezon, si në kampionat ku pozicionohet i dyti pas Dortmundit dhe edhe në Champions ku fitoi 3-0 ndaj CSKA-së, por bavarezët nuk kanë qenë në gjendje që të arrijnë fitoret me atë lehtësi të pabesueshme që e bënin një vit më parë, duke ngjallur dyshime mbi mundësitë që ka skuadra për të përsëritur apo luftuar deri në fund për realizimin e një triplete historike si ajo e sezonit të lënë pas.

Top Channel