Nis Liga e Kampioneve

17/09/2013 00:00

Do të startojë sot faza më voluminoze e Ligës së Kampioneve me sfidat e para në grupe që do të shpërndajnë dhe pikët e para për shumë nga pretendentët e kupës me veshë të mëdhenj.

Kështu, në grupin A, Manchester United do ta nisë betejën europiane për herë të parë pas një dekade e gjysmë pa Sir Alex Ferguson në stol. Pasardhësi i tij, David Moyes, do të ketë detyrën e vështirë që të kënaqë tifozët me një sukses sot në “Old Trafford” kundër Bayer Leverkusen, me anglezët dukshëm si favoritë.

Sfida tjetër e grupit është Real Sociedad-Shakhtar Donetsk.

Në grupin B, Juventus dhe Real Madrid do të përballen në dy transferta të bezdisshshme, respektivisht në Danimarkë dhe Turqi. Skuadra kampione e Italisë do të luajë në fushën e Kopenhagenit dhe do ta ketë disi më të lehtë se “Galaktikët” që do të luajnë në “ferrin” e Stambollit përballë Gallatasarajit. Reali është përballur edhe vjet me turqit, por këtë herë skuadra e Terim është forcuar me Drogba dhe Wesley Snejder.
 
Në grupin C, PSG do të luajë në Athinë ndaj Olimpiakosit, ndërsa Benfica pret Anderlecht në një ndeshje të lehtë në letër, por që mund t’i sjellë probleme portugezëve nëse nuk e marrin seriozisht.

Në grupin D, kampionët në fuqi të Europës, Bayern Munchen, do ta nisin fushatën për mbrojtjen e titullit ndaj CSKA-së së Moskës. Në 20:45, skuadra e Guardiolës shpreson në entuziazmin e “Allianz Arena” dhe idetë e teknikut të ri për të fituar kundër rusëve.

Sfida tjetër e grupit D është ajo mes Viktoria Plzen dhe Manchester City.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA