Andrea Stefani – Vendimi i qeverisë “Rama” për heqjen e fotos në
Presidentit Nishani nga zyrat e shtetit ka shkaktuar jo pak reaksion nga
kampi opozitar. Por më i zemëruari është shfaqur një
ish-zëvendësministër tremujorësh i qeverisë së ikur.
Në një tekst shkumëzues deklaron shokimin e vet nga ky akt vulgar vandalësh që paska në themel “instinktin e egër të një ideologjie që e shpallin të vdekur, por së cilës besnikërisht i ruajnë e ndjekin ritet”. Heqja e fotos së Nishanit është, sipas tij, një akt shumë i rëndë sepse “presidenti përfaqëson unitetin e kombit”. Dhe në fund ky zyrtar i qeverisë së vjetër, lëshon kushtrimin se këta (d.m.th., qeveria e re), duhen ndalur me çdo çmim! Me çdo çmim?! Edhe duke dalë mbi vullnetin e një shumice prej 1 milion shqiptarësh që sapo e kanë votuar këtë qeveri?! Po a nuk do të qe një gjë e tillë akti më vandal ndaj demokracisë!
***
Që në krye të herës duhet të sqarojmë se, ndryshe nga sa është thënë prej disa mediave të opozitës (deri dje të qeverisë), vendimi i qeverisë për foton e Nishanit nuk dhunon as edhe një ligj. Sepse Protokolli i Shtetit në Republikën e Shqipërisë nuk është rregulluar me ligj, por me një vendim qeverie dhe si i tillë, mund të ndryshohet po me një vendim qeverie. Njëherazi duhet sqaruar se ndryshe nga sa shkruan zëvendësministri i ikur, Presidenti i Republikës nuk përfaqëson unitetin e kombit. Kombi shqiptar është më i madh se Republika e Shqipërisë dhe unitetin e kombit nuk mund ta përfaqësojë as Nishani dhe as Jahjaga që janë presidentë të dy pjesëve të kombit të organizuar në shtete të ndryshme. Me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, presidenti përfaqëson unitetin e popullit. Kombi dhe populli jo përherë janë e njëjta gjë.
***
E megjithatë, përse duhet hequr fotoja e një presidenti që, me Kushtetutë, përfaqëson unitetin e popullit në shtet? Mos vërtet kemi të bëjmë me një akt vandal, pjellë instinktesh të egra sikundër akuzon zëvendësministri i ikur? Në fakt është krejt e kundërta. Shumica e sapoardhur në pushtet nuk ka asnjë detyrim, sa kohë nuk është e fiksuar në ligj, të promovojë si simbol të unitetit të popullit një President si Nishani që prej ngjitjes në atë post, ka vepruar si një partiak i devotshëm dhe besnik jo i Kushtetutës, por i liderit të tij Sali Berisha. Pra incidenti, nëse mund të quhet kështu, e ka zanafillën te gjakimet e politikanëve si Berisha që, duke shmangur bashkë pëlqimin me opozitën, zgjedhin në postin e lartë njerëz pa personalitetin e duhur. Sepse shumica e sotme jo vetëm nuk do guxonte por edhe nuk do dëshironte të hiqte foton e një Presidenti që, pavarësisht se kush e ka zgjedhur, ka mundur të sublimohet dhe ngjitet mbi palët në lartësinë e misionit Kushtetues. Në një rast të tillë asnjë shumicë, asnjë qeveri nuk do lakmonte të bënte atë që sapo bëri qeveria “Rama”, pa rrezikuar të merrte indinjatën e pjesës dërrmuese të opinionit publik. Por kur një president sillet si partiak, ta promovosh si simbol të unitetit të popullit, është një mashtrim, një hipokrizi me vetë popullin! Prandaj edhe shumicës së shqiptarëve nuk i vjen aspak keq për vendimin e qeverisë. Të jesh simbol i unitetit të popullit nuk është formalitet, por meritë!
***
Ndaj nuk është fare vandalizëm heqja e fotos së një presidenti që nuk ka arritur të kryejë misionin e presidentit. Vandalizëm është sot rrënimi i shtetit demokratik, i ndarjes së pushteteve në të, duke i përqendruar të gjitha fuqitë në duart e një njeriu të vetëm. Vandalizëm është pikërisht ajo që për vite me radhë u përpoq të bënte Berisha, kryeministri i ikur i zëvendësministrit të ikur, duke kapur të gjitha pushtetet me anë të vendosjes në postet kyçe të shtetit, edhe në atë të Presidentit të Republikës, besnikë të verbër të tij. Është një vandalizëm që na kthen në kohërat e partisë shtet, kur të gjitha pushtetet ishin përqendruar në duart e Enver Hoxhës. Një vandalizëm që, edhe pse mund të llomotisësh gjithë ditën e natën për demokracinë dhe Europën, edhe pse mund të lyesh veten me blu, të bën fatalisht zbatues të instinkteve të egra të një ideologjie që edhe pse e shpall të vdekur, ia ruan dhe zbaton ritet besnikërisht. Dhe vërtet që një vandalizëm i tillë është i papranueshëm për gjeneratën e re të shqiptarëve dhe mjaft i rrezikshëm për projektin e europianizimit. Ndaj këta vandalë duheshin ndalur. Por jo me çdo kusht e çmim, jo duke shkelur mbi vullnetin e popullit. Këta vandalë duheshin ndalur me votë, me demokraci. Ashtu si edhe shqiptarët i ndalën më 23 qershor.
Gazeta “Shqip”
Top Channel