U luajtën ndeshjet e para të fazës në grupe të Ligës së Kampioneve ku ra në sy fitorja e thellë e Realit të Madridit në Turqi përballë Gallatasarajit dhe nisja me 3-pikësh e kampionëve në fuqi të Bajernit të Mynihut.
Në Stamboll, pavarësisht se turqit luajtën më mirë, madrilenët e drejtuar nga Anceloti e mbyllën pjesën e parë në avantazh 1-0 falë golit të Iskos. Në pjesën e dytë mbërrijnë pesë golat e tjerë, fillimisht me Benzema, më pas Ronaldo dy herë radhazi dhe sërish Benzema për ta mbyllur sërish me portugezin që shënon në minutat shtesë golin e tretë personal, ndërsa goli i nderit për turqit u shënua nga Bulut në minutën e 84.
Në të njëjtin grup, atë B, surprizë mund të quhet barazimi 1-1 i Kopenhagenit me Juventusin. Danezët mbyllën pjesën e parë në avantazh 1-0, por në të dytën bardhezinjtë barazuan me Kualjarelën, ndërsa në minutat në vazhdim, pavarësisht rasteve të krijuara kampionët e Italisë nuk gjetën dot golin e avantazhit.
Në Gjermani, Bajerni i fitoi pastër 3-0 ndaj rusëve të CSKA-së së Moskës. Goli i parë u shënua nga Alaba nga një goditje dënimi që në minutën e 4 të takimit, ndërsa në të 42-ën, Mandzukiç dyfishoi rezultatin në një pozicion të dyshimtë. Goli i tretë u shënua nga Roben në minutën e 68.
Po në këtë grup, M. City i mjaftuan 10 minuta nga pjesa e dytë për të vulosur fitoren 0-3 në transfertën ndaj Viktoria Plzen. Dzeko shënoi i pari në minutën e 48, Ture dyfishon në minutën e 53 dhe Aguero vendos rezultatin 5 minuta më vonë.
Fitore arriti edhe Manchester United ndaj Leverkusenit me rezultatin 4-2, ndërsa PSG fitoi në transfertë 4-1 ndaj grekëve të Olimpiakosit. Sociedadi u mund 0-2 në fushën e tij nga Shakhtari ndërsa Benfica fitoi 2-0 ndaj Anderlehtit me dy gola të shënuar në pjesën e parë.
Liga e Kampioneve rikthehet të mërkurën në SuperSport me ndeshjet për katër grupet e tjera, ku spektakël premton sfida mes Napolit dhe Dortmundit.
Top Channel