F1, Alonso: Në Marina Bay, me mentalitet pozitiv

17/09/2013 00:00

Fernando Alonso ndihet i përgatitur për Cmimin e Madh të Singaporit që do të zhvillohet këtë fundjavë.

“Kalendari hyn tashmë në fazën e tij më stresuese me 7 gara jashtë Europës. Gjatë pushimeve të gushtit jam përgatitur fizikisht për fundin e kampionatit pasi vështirësive të zakonshme u shtohet edhe ndryshimi i orarit”, theksoi spanjolli i Ferrarit.

Alonso kujton edhe të veçantat e kësaj piste: “Është një garë që të lodh fizikisht dhe mendërisht. Zhvillohet natën dhe kjo bën që të ndryshojnë oraret me të cilat jemi mësuar. Ne (Ferrari) nuk mund të bëjmë më gabime.”

Në deklarata për faqen zyrtare të “Kokëkuqes”, dy herë kampioni i Botës në Formula 1 shprehet i bindur për mundësitë e tij: “Jam pozitiv në prag të kësaj gare dhe kam besim se gjithçka do të shkojë mirë. Ashtu si në çdo cirkuit urban, në Marina Bay gjithmonë ekziston rreziku të bësh një gabim shumë të vogël që të kushton shumë. Sektori i fundit është më i ndërlikuari, sidomos kthesat 18 dhe 19, ku është shumë e lehtë të gabosh.”

Top Channel