Në vizitën e parë zyrtare në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe Ministrja e Integrimit Klajda Gjosha zhvilluan disa takime. Fillimisht në njësinë që mbulon Shqipërinë në Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit të Komisionit Europian, e më pas në Parlamentin Europian, ku ministri Bushati u takua me Kreun e Delegacionit për Ballkanin Eduard Kukan, e më pas dy ministrat takuan dhe zëvendës Presidentin e PE, Gianni Pitella.

“Pas zgjedhjeve që u mbajtën në një mënyrë të respektueshme dhe kalimi i pushtetit politikisht u bë në mënyrë qytetare. Është e nevojshme që ky dialog të mbahet mes aktorëve kryesorë politike edhe në të ardhmen. E di që parlamenti ka dëshirë t’u tregojë shqiptarëve se ne jemi të lumtur kur Shqipëria punon mirë për të ardhmen, e në këtë kuadër dua të them se Shqipëria mund të presë realisht statusin kandidat në dhjetor nga Këshilli Europian”, deklaroi Eduard Kukan, kryetar delegacioni për Ballkanin në PE.

“Pikëpamjet lidhen me zhvillimet e fundit në Shqipëri duke filluar nga procesi zgjedhor, tranzitimi i pushtetit, betimi i qeverisë së re, programi ynë për reformat dhe për disa nga prioritetet ende të papërmbushura nga ana e Shqipërisë, bashkëpunimi me opozitën në funksion të përjetësimit të procesit të kandidimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe gjithashtu u fokusuam tek politika jonë e jashtme në rajon e projektet e bashkëpunimit rajonal si aseti i Shqipërisë në këtë proces”, tha Ditmir Bushati, Ministër i Jashtëm.

“Folëm se si t’i ndihmojmë Shqipërisë në procesin e integrimit europian dhe forcimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe BE. Prekëm dhe temën e bashkëpunimit ekonomik dhe social mes rajoneve të Shqipërisë dhe rajonit të Mezzogiorno-s në Itali si dhe mbi përgatitjet për vizitën time në Tiranë gjatë muajit tetor”, u shpreh Gianni Pittella, zv.President i PE-së.

Ministri i Punëve të Jashtme Ditmir Bushati dhe Ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha shoqërojnë Kryeministrin Edi Rama në vizitën e tij të parë zyrtare dy-ditore në Bruksel.

Top Channel