Presidenti Bujar Nishani u takua me presidenten e Kosovës Atifete Jahjaga, e cila ka mbërritur në Tiranë në kuadër të Takimit të 5-të Rajonal të Presidentëve të Rajonit.

Zoti Nishani u shpreh se realiteti në Kosovë ka bindur edhe më skeptikët se pavarësia  ishte zgjidhje e drejtë dhe pa alternativë.  Ai theksoi se Shqipëria dhe Kosova kanë një synim të përbashkët, integrimin europian dhe në këtë rrugë kanë nevojë për njëri-tjetrën.

Presidentja Jahjaga e vlerësoi takimin e presidentëve të rajonit si shumë të rëndësishëm në shërbim të bashkëpunimit dhe axhendës europiane të vendeve tona dhe të rajonit në tërësi, sepse i shërben intensifikimit të bashkëpunimit politik, ekonomik e tregtar, e po ashtu realizimit të axhendës së përbashkët europiane.

Një vlerësim të veçantë, Presidentja Jahjaga shprehu për mbështetjen e Shqipërisë në forcimin e pozicionit ndërkombëtar të Kosovës, shtimin e njohjeve dhe ndihmesën në konsolidimin e demokracisë dhe shtetit ligjor

Top Channel