Kryeministri Rama nis vizitën në Bruksel

16/09/2013 00:00

Kryeministri shqiptar Edi Rama është nisur të hënën drejt Brukselit ku
do të zhvillojë një vizitë dyditore, i shoqëruar nga ministri i Jashtëm,
Ditmir Bushati dhe ministrja e Integrimit Evropian, Klajda Gjosha. 

Rama pritet të takohet me përfaqësuesit më të lartë të Bashkimit Europian. Kryeministri do takohet si fillim me kreun e PE-së, Martin Schultz e më pas ai do të mbajë një fjalë në Komisionin e Jashtëm të PE.

Në vijim të vizitës, Rama dhe ministrat Bushati e Gjosha do të takohen me Presidentin e Këshillit të Europës, Komisionit Europian, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Anders Fogh Rasmusen dhe me Kryekomisionerin për Zgjerimin, Stefan Fyle.

Një ditë më parë, Rama mori zyrtarisht postin pas betimit te presidenti Bujar Nishani, ndërsa  qeveria  zhvilloi edhe mbledhjen e parë, ku u morën disa vendime.

Ndryshimet në ligjin për trajtimin e integruar të mbetjeve urbane, të cilat çojnë në ndalimin e importit të mbeturinave, ishte vendimi i parë i qeverisë së re.

Po ashtu qeveria e Ramës ka vendosur që në zyrat dhe institucionet e shtetit, në vend të fotos së presidentit të Republikës të vihet ajo e Ismail Qemalit, figurës kyçe në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë. Vendimi i tretë i miratuar, ka qenë Kodi Etik Ministror.

Top Channel