Juventusi, rotacion për Champions

16/09/2013 00:00

Rotacioni është një fjalë që nuk i pëlqen shumë trajnerit të Juventusit, Antonio Conte, por në prag të debutimit në Ligën e Kampioneve këtë sezon, tekniku i bardhezinjve do të detyrohet të bëjë ndryshime.

Në prag të ndeshjes kundër Kopenhagenit (e martë, ora 20:45) kampionët e Italisë do të nisin sprintin e 7 ndeshjeve në 22 ditë, një kalendar i ngjeshur që imponon ndryshime në formacion.
 
Në repartin difensiv, Barzagli pritet që ta nisë nga pankina pasi ka lënë pas dëmtimin dhe rendimenti i tij ka qenë i mirë, por nuk do të rrezikohet ndaj danezëve. Në vend të tij pritet të luajë Ogbona, që do të bëjë kështu debutimin si titullar me Juventusin. Risi pritet të ketë dhe në sulmin e bardhezinjve për të shtuar zgjedhjet në dispozicion të trajnerit Conte ndaj Kopenhagenit.
 
Fabio Quagliarella është favorit për të zëvendësuar Vucinic në mesjavë në Champions League. Malazezi nuk luajti mirë në San Siro dhe është i destinuar të parkohet në stol për dy ndeshjet në vijim. Por, edhe pse në letër gjithçka duket e thjeshtë, ndeshja me danezët nuk do të jetë e lehtë dhe Juventus ka një eksperiencë të tillë kur luajti me Nordsjellandin në tetor të vitit të kaluar duke barazuar dhe duke rrezikuar kualifikimin në fazën tjetër të Champions.

Top Channel