Primera, barazon Reali, Sanchez shpëton Barçën

15/09/2013 08:40

Reali i Madridit u ndal për herë të parë në këtë sezon të Primera Divisionit, në fushën e të sapongjiturve të Villarealit.

“Nëndetësja e verdhë” kaloi e para në avantazh nëpërmjet Canit, por në debutimin e tij me madrilenët Bale riktheu barazimin përpara intervalit.

Me kalimin në avantazh të ekipit të Ancelottit falë një goli të Ronaldos në fillimin e pjesës së dytë u duk se fitorja ishte pranë, por Villareali gjeti forcë për të shënuar për së dyti dhe për të vënë disa herë në vështirësi portën e mbrojtur nga Diego Lopez, një prej më të mirëve në fushë.

Me këtë barazim, Reali shkëputet dy pikë pas Barcelonës dhe Atletikos, skuadrat që ndajnë kryesimin e kampionatit.

Tek katalanasit, Alexis Sanches, me golin e tij në sekondat shtesë i dha fitoren e katërt radhazi Barcelonës, e cila vuajti shumë në “Camp Nou” përballë Sevijas, por në fund arriti të triumfojë me rezultatin 3-2.

Në minutën e 36’, Dani Alves kaloi katalanasit në avantazh, ndërkohë që pas golit të Mesit në të 75 minutë u mendua se ndeshja mund të quhej e mbyllur.

Por, Sevilja shënoi 2 herë brenda 10 minutave me Rakitiç dhe Koke.

Në fund, këmbëngulja e Lionel Mesit u finalizua me sukses nga Sanchez, gol ky shumë i kontestuar nga lojtarët e Sevijas të cilët pretendonin se edhe koha shtesë kishte përfunduar.

Me këtë fitore, Barça ngjitet në kuotën e 12 pikëve, po aq sa Atletiko Madrid që mundi 4-2 Almerian.

Top Channel