ARBEN MANAJ – Jo vetëm ngjarjet në Siri, por edhe ato pararendëse, të
lidhura ose jo me “Pranverën arabe”, dëshmojnë se Rusia gjithnjë e më
shumë po mendon globalisht, po aq sa edhe amerikanët.
Putini i Rusisë së pasuruar tashmë, nga të ardhurat e naftës dhe gazit, për dallim nga Rusia e dobët financiare dhe e nëpërkëmbur politikisht e kohës së Jelcinit, ka rimarrë gjithnjë e më tepër, ato tipare tradicionale të shkollës diplomatike ruse dhe politikës së jashtme sovjetike, duke konfirmuar se është e gatshme të mbrojë sferat e saj të influencës me çdo çmim.
Vetëkuptueshëm, Putini, në rastin e Sirisë, është duke nuhatur dobësinë amerikane, e kombinuar me kompleksin e luftërave të mëparshme në rajon, mungesën e oreksit të publikut perëndimor për luftëra të reja, dhe pse jo, edhe ndonjë gafë të mundshme diplomatike si ajo e Xhon Kerrit, që mesa duket, dhe siç përflitet, se i shpëtoi ideja e monitorimit ndërkombëtar të armëve kimike të Asadit, e kapur brenda një nanosekonde nga diplomacia ruse.
I fituari nga tërë kjo lojë e madhe shahu ndërkombëtar, është padyshim kasapi i Damaskut, i cili nuk do të rezistonte asesi kaq gjatë, pa qenë në lojë protagonizmi i rigjetur diplomatik rus dhe nevoja apo vizioni i Moskës për t’u llogaritur si një vend i madh, me një mision specifik në historinë botërore.
Ajo që po luhet diplomatikisht mes Rusisë dhe Amerikës nuk është thjesht dhe vetëm çështje krenarie perandorake për Moskën, sesa një mision rus për të ekspozuar dhe për të kundërshtuar atë që për sytë e rusëve është hipokrizi amerikane.
Në 20 vjetët e fundit, rusët kanë vuajtur nga disbalancat e krijuara nga rënia e ish-perandorisë sovjetike, poshtërimet ruse nga bombardimet e Serbisë nga NATO për Kosovën, pushtimin e Irakut dhe tradhtinë e përmbysjes së Gadafit.
Por rusët kanë ripushtuar Çeçeninë, ndërkohë kanë gjunjëzuar Gjeorgjinë.
Historikisht, rusët kanë operuar po aq sa edhe amerikanët si xhandarët e botës. Është i njohur shkëmbimi i batutave mes ish-ambasadorit amerikan Harriman me Stalinin, kur sovjetikët morën Berlinin më 1945, kur Stalini flakë për flakë i tha ambasadorit që e uroi për fitoren e Berlinit se: “Cari Aleksandër i Parë kishte marrë Parisin”.
Në ditët tona, politika e jashtme putiniste sheh tek Obama dobësi dhe siklet politik. Putini luan me qitje të largët. Nëse pengon luftën apo ndërhyrjen ushtarake në Siri, dhe gjasat janë se do t’ia arrijë, ai do të ndërmjetësojë më pas për Iranin.
Në dekadat e fundit, Kremlini ka qenë shumë i shqetësuar me arrogancën dhe sfidën e vazhdueshme amerikane ndaj interesave tradicionale ruse, përfshi edhe ato në Lindjen e Afërme dhe atë të Mesme.
Rusia ka ekskluzivisht interesa strategjike në Siri, në përballjen e fundit me Amerikën. Baza ushtarake detare Tartus, në brigjet e Sirisë, është e fundit që Rusia ka në rajon, pas rënies së ish-Bashkimit Sovjetik, e ndërtuar në kohën e babait të Asadit, Hafez al Asadit, kur ai përqafohej me Brezhnjevin në fillimvitet 70-a, pa përmendur rreth 1 miliard dollarët ndihmë ushtarake ruse vetëm në 2011-n për Damaskun.
Interesat strategjike ruse në Lindjen e Afërme kanë filluar me Pjetrin e Madh e deri kur sovjektikët investuan shuma të mëdha gjatë Luftës së Ftohtë, për armatosjen deri në dhëmb të Naserit, Gadafit, Hafez al Asadit e Sadamit.
Rusët e mirinformuar politikisht nuk kishin dyshim se të çfarë stofi politik ishin këta autoritarë dhe despotë, por ata në fund të fundit, nuk ishin më ndryshe nga monstrat e tjerë që mbështesnin amerikanët, si Pinoçeti apo Markosi.
Madje, Moska nuk e ka për gjë të jetë cinike dhe t’u kujtojë amerikanëve se Uashingtoni nuk bëri asgjë për të kritikuar Sadamin, kur ai përdori armët kimike, thjesht sepse ai ishte në luftë me armiqtë e Amerikës, Iranin.
Askush nuk e di hëpërhë se si do t’i vejë halli Sirisë, edhe nëse zgjidhet çështja e armëve kimike. Lufta filloi me armë konvencionale dhe për më shumë liri dhe pranverë demokratike dhe duket se do mbarojë me armë politike.
Asadi duket më i buzëqeshuri, në vendin e tij të shndërruar në kasaphanë, sepse është i fundit që po qesh, pas buzëqeshjeve diplomatike në publik mes amerikanëve dhe rusëve, që i janë rikthyer si dikur mbrojtjes me çdo çmim të interesave dhe sferave respektive të influencës.
Kësaj here, duket se i fituar është antiamerikani Putin dhe prorusi Asad, për shkak të dobësisë dhe luhatjes së kondicionuar politike të administratës amerikane të Presidentit të majtë Obama.
Dimri gjeopolitik amerikano-rus duket se nuk po i hap rrugë për të tretën herë pranverës siriane, me kosto të mëdha njerëzore për sirianët, por me kosto dhe për dominimin e padiskutueshëm amerikan deri më sot, në punët e botës së pas rënies së komunizmit sovjetik, dhe atij të sfiduar, pas ringritjes agresive kapitaliste ruse.
Gazeta “Shqip”
Top Channel