Goditet presidenti i Skënderbeut në Vlorë

15/09/2013 17:40

Java e dytë e Superiores është njollosur nga një incident i rëndë në qytetin e Vlorës, aty ku ishte planifikuar të zhvillohej ndeshja përbyllëse e kësaj jave në orën 17:00, ajo mes rivalëve të Flamurtarit dhe Skënderbeut.

Ndeshja nisi brenda çdo organizimi normal, diçka që u reflektua edhe në fushën e blertë nga lojtarët e të dyja ekipeve, pavarësisht rivalitetit të theksuar mes dy ekipeve, por pas minutës së 37-të të pjesës së parë ndeshja është ndërprerë, për shkak të një incidenti të shëmtuar të ndodhur në tribunën e stadiumit “Flamurtari”.

Presidenti i Skënderbeut, Ardian Takaj, raportohet të jetë goditur nga një tifoz i pranishëm në tribunë, ndërkohë që ndeshja kishte vetëm pak minuta që ishte zhbllokuar, falë golit të shënuar nga Shehaj në minutën e 20.

Probleme ka pasur gjithashtu edhe në tribunat e tifozëve, nga ku sharjet në kor nuk kanë rreshtur në asnjë moment ndaj lojtarëve të Skënderbeut.

Mësohet se pas goditjes së Takajt, skuadra korçare, kampione në fuqi e Superiores, është tërhequr nga fusha për t’u drejtuar drejt dhomave të zhveshjes, ndërkohë që drejtuesit e dy klubeve kanë biseduar me zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, me të cilët kanë rënë dakord pas rreth 30 minutash që ndeshja të rifillojë.

Ndërkohë, raportohet se policia ka shoqëruar për në komisariat personin që ka goditur presidentit Takaj, kurse situata mbetet e tensionuar mes tifozëve vlonjatë, kjo e përforcuar edhe nga goli i barazimit të skuadrës korçare, të shënuar nga Muzaka, vetëm 2 minuta pas rifillimit të lojës. Por, ai nuk festoi për të respektuar të shkuarën e tij te skuadra vlonjate dhe tifozët. Gjithsesi, në fund kanë fituar vlonjatët me rezultatin 2-1.

Sa i përket ndeshjeve të tjera të javës së dytë të Superiores, të zhvilluara ditën e diel, Tirana ka mposhtur Lushnjen në “Qemal Stafa” me rezultatin 1-0, fitorja e parë për bardheblutë në dy ndeshje. 11-metërshi i dyshimtë i minutës së 29, i shndërruar në gol më pas nga Muca, është i vetmi rast që zhbllokoi takimin dhe vendosi më pas fatij e tij. Rastet e regjistruara deri në fund nuk ndryshuan asgjë në rezultat, me gjithë tentativat e lushnjarëve.

Ndërkohë, incidentet kanë shoqëruar edhe ndeshjen tjetër të së dielës, atë mes Teutës dhe Besës, e cila u mbyll në barazim 2-2. Verdhezinjtë kaluan në avantazh të dy golave, me Ditën dhe Sefën, por ishin dy 11-metërshat që përfitoi skuadra e Maganit, duke barazuar gjithçka në 2-2, të cilat shkaktuan edhe panik e protesta të tifozëve. Gjithsesi, të dyja skuadrat ndajnë nga 1 pikë, e para për kavajasit, teksa në kuotën e katër pikëve gjendet Teuta.

Top Channel