Superliga, Vllaznia fiton në Kukës

14/09/2013 16:00

Vllaznia arriti një fitore surprizë në fushën e Kukësit, ndërsa Partizani u mund të transfertën e Laçit, në ndeshjet e vlefshme për javën e dytë të Kategorisë Superiore.

Në Kukës, skuadra që bëri historinë këtë verë duke u shndërruar në ekipin e parë shqiptar që arriti të kalonte tre raunde në një kompeticion europian (Europa League), u befasua prej shkodranëve që morën avantazhin menjëherë me fillimin e pjesës së dytë, me Bushiç.

Barazimi monental i Prognit nuk mundi t’i shërbente vendasve për të fituar pikë, ndërsa një dygolësh i Krujës sanksionoi fitoren e miqve.

Partizani, i cili në rikthimin në Superligë u entuziasmua nga fitorja 0-2 në Krujë, ishte protagonist i një ndeshjeje të ekuilibruar në Laç, por vendasit arritën të fitonin falë golit të Tanushit, në të 73’.

Në ndeshjen tjetër të zhvilluar këtë të shtunë, nigeriani Izuçuku i dha fitoren Bylisit me golin e vetëm të shënuar në Ballsh, përballë Kastiotit, që pas dy ndeshjeve duhet të fitojë ende pikën e parë në këtë kampionat.

Të dielën, zhvillohen tre ndeshjet e tjera të javës së dytë, Tirana-Lushnja në orën 14:00 dhe në orën 17:00, supersfida Flamurtari-Skëndërbeu e “derbi” Besa-Teuta.

Top Channel