Seria A, Inter-Juve bëjnë paqe, zhgënjen Milani

14/09/2013 00:00

Derbi i Italisë, përballja midis Interit dhe Juventusit u mbyll në një barazim 1-1, pasi Icardi dhe Vidal “vulosën” golat e secilës skuadër në ndeshjen zhvilluar pasditen e së shtunës.

Pas një pjese të parë të barazpeshuar, në të cilën gjithsesi Interi befasoi me një formë të mirë kampionët, disa herë në vështirësi, zikaltërit realizuan në të 73’ nëpërmjet Icardit.

Megjithatë, goli u mundësua nga pakujdesia e Chellinit, i cili humbi një top pranë mbrojtjes dhe Alvarez, pas një nisje të shpejtë, vertikalizoi për sulmuesin e ri, që kaloi në avantazh vendasit.

Avantazhi i zikaltërve, gjithsesi qe shumë i shkurtër. Brenda dy minutash, kampionët në fuqi u përgjigjën nëpërmjet Vidal, i cili ndëshkoi mbrojtjen e vendosur keq të Interit, në një harkim nga e majta e Asamoas.

Ky barazim, përbën për secilën nga këto dy pretendente ndalesën e parë në këtë sezon, pas dy fitoreve të regjistruara në dy javët e para të Serisë A.

Rezultati i “San Siro”-s favorizoi Napolin, i cili regjistroi fitoren e tretë radhazi falë golave të Higuain e Callejon dhe me trepikëshin e marrë ndaj Atalantës, ngjitet tashmë në krye të Serisë A.

Ndërkohë, Milani vazhdon të zhgënjejë. Skuadra e Allegrit u paraqit dobët në fushën e Torinos, që realizoi dy herë në pjesën e dytë.

Megjithatë, kuqezinjtë arritën të sigurojnë një pikë, falë golit të Muntarit në të 87’ dhe një penalltie të konvertuar në gol nga Balotelli në minutat shtesë.

Top Channel