Kamëz, tifozët konfrontohen me bashkinë

14/09/2013 18:40

Vendimi i Bashkisë së Kamzës për t’i mbyllur sërish stadiumin ekipit të futbollit të Kamzës ka acaruar tifozët e kësaj skuadre, të cilët para ndeshjes me Adën janë konfrontuar me punonjësit e policisë bashkiake të Kamzës.  

Tifozët e Kamzës kanë thyer xhamin e makinës së bashkisë dhe kanë hapur me forcë derën e stadiumit të Kamzës.

Pasi janë futur në stadium, ata kanë mbyllur vetë kanalin në mes të fushës, i cili u hap pak ditë më parë nga bashkia me pretendimin se do të rregullohet sistemi vaditës i stadiumit.

Ndeshja filloi rreth 45 minuta me vonesë, pasi Policia e Shtetit nuk mori përsipër mbarëvajtjen e ndeshjes mes Kamzës dhe Adës.

Drejtuesit e klubit të Kamzës ia kanë besuar më pas këtë detyrë një kompanie private.

Ka më shumë se 1 vit që marrëdhënia mes kryebashkiakut të Kamzës Xhelal Mziu dhe presidentit të klubit të futbollit, Naim Qarri, që ka dhe pjesën më të madhe të aksioneve të këtij klubi janë ftohur.

Shkaku zyrtar i problemeve mes tyre nuk dihet ende, por flitet se kryebashkiaku Mziu kërkon nga Qarri kthimin e aksioneve të klubit të futbollit.

Top Channel