Basha: Rama, premtime të humbura

14/09/2013 00:00

Kryetari i PD, Lulzim Basha ka mbledhur paraditen e së shtunës grupin parlamentar, në qendër të të cilit ka qenë qëndrimi ndaj programit qeverisës të Partisë Socialiste.

Në fjalën e tij Basha fillimisht ka deklaruar se opozita nuk do të bëhet pengesë për proceset integruese të vendit, sikurse u bë parardhësja e saj në këtë pozicion.

“Ne garantojmë se nuk do të bëhemi pengesë për integrimin. Ne do të japim konsensus për çdo reformë që do na çojë drejt Bashkimit Evropian”, ka deklaruar Basha.

Ai ka sfiduar kryeministrin e ri Edi Rama që të matet me arritjet që qeveria e mëparshme ka shënuar sipas tij gjatë tetë viteve të fundit.

“Para dy ditësh Rama bëri sulme përçarëse. Qeveria e Ramës le të matet me arritjet tona. Të na kalojë nëse mundet, ne nuk jemi xhelozë”, ka thënë Basha.

Më tej, kryetari i ri i Partisë Demokratike ka shprehur skepticizmin e tij për programin qeverisës të Partisë Socialiste, duke vlerësuar se mashtrimet do të dalin shumë shpejt në sipërfaqe.

“Sindroma e vitit 0 do të sjellë varfëri dhe papunësi. Premtimet e bujshme të Ramës kanë humbur. Shëndetësi falas nuk do të ketë dhe as 300 mijë vende të reja pune. Mashtrimet i kemi paralajmëruar që në fushatë”, ka shtuar Basha.

Top Channel