PD: Rama fillon me klientelizmin

13/09/2013 00:00

Pas deklaratës se Kreministrit Edi Rama, për të ftuar një kompani të
huaj për të ndihmuar Qeverinë në lidhje me tatimet dhe doganat, ka
reaguar Partia Demokratike, e cila e akuzoi Ramen se pa marre ende
detyren e ka përcaktuar kompaninë konsulente, në kundërshtim me ligjin,
pasi duhet të zhvillohet më parë një tender për këtë çështje.

“Me një fjali të fshehur mes rreshtash të mjegullt të programit të tij, Edi Rama i thotë shkarazi shqiptarëve se, “do të ftojë një kompani të huaj, të njohur në tregun ndërkombëtar, për ta ndihmuar në lidhje me tatimet dhe doganat”.Një ndihmë që paguhet nuk është ndihmë, por shërbim që blihet.Z. Rama u tha shqiptarëve publikisht se ka gjetur që tani kompaninë. Kjo është kompania – Crown Agents.Por, më e keqja është se këtë shpenzim klientelist, z. Rama do ta bëjë me prokurim të drejtpërdrejt, jo me tender të hapur ndërkombëtar.Kjo është shkelje flagrante e ligjit të prokurimeve. Qeveria e Kryeministrit Berisha e zhduku prokurimin e drejtpërdrejt dhe i kurseu  buxhetit të shtetit miliarda dollarë, që më parë shkonin në xhepat e zyrtarëve socialistë.Z.Rama po kërkon të shkelë ligjin dhe të kthejë prokurimin klientelist të drejtpërdrejt.Ai u mburr në Kuvend se ka marrë një mazhorancë dërrmuese dhe po përgatitet që me arrogancën e kësaj mazhorance, të dërrmojë ligjin dhe çdo praktikë të mirë të instaluar deri më sot me konsulencën e BE-së, OKB-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë.Ky është një lajm i keq për shqiptarët, sepse na tregon vizionin e një kryeministri që do të dërrmojë shtetin e së drejtës, vetëm që piktura qe ai ka ne kokë për shtetin të realizohet”, tha deputeti demokrat Oerd Bylykbashi.
 

Top Channel