Pandëshkuesh- mëria, fund detantes Berisha- Nano

13/09/2013 00:00

Andrea Stefani – Nuk ka asgjë spontane dhe të rastit në aktin e largimit
të Sali Berishës nga Parlamenti, ndërsa Edi Rama, Kryeministri i
sapodekretuar i Shqipërisë, thuajse nuk kish mbaruar së lexuari faqen e
parë të fjalimit të tij të parë në Parlament.

Berisha e kish planëzuar të dilte nga Parlamenti. Nuk ishin fjalët therëse të Ramës, por forca e gjërave ato që e detyruan Berishën të ikë nga salla për të përmendur para mediave fjalën: Luftë! Rama i shpalli luftë opozitës! – tha Berisha. Nuk është e vështirë të perceptosh taktikën, tipike hitleriane, që epshin për luftë e maskon duke akuzuar kundërshtarin për luftënxitës. Po ç’e detyron Berishën të shpallë konflikt me qeverinë me kaq revan? Asgjë më shumë sesa nevoja për t’u mbrojtur nga drejtësia që kërcënon me ndëshkim atë dhe jo pak ministra të tij, për korrupsionin që trashëgon shteti. Berisha po e keqpërdor PD për të mbrojtur korrupsionin e qeverisë së tij dhe të gjithë deputetët e PD po e ndjekin nga pas si delet bariun e vërtetë të partisë. Berisha synon pandëshkueshmërinë.

 

***

Odiseja e pandëshkueshmërisë e ka zanafillën në vitet e para të tranzicionit. Si për çudi, ajo nis me një ndëshkim, me plasjen në burg të kryetarit të opozitës në atë kohë Fatos Nano. Ai u akuzua dhe u dënua për korrupsion nga prokurorë e gjykatës në shërbim të Berishës. Që nga ajo kohë, në Shqipëri, pavarësisht korrupsionit gjithnjë e më galopant në majat e qeverive, nuk ka pasur asnjë qeveritar të lartë të ndëshkuar. Nuk kemi të bëjmë me një rastësi, por me një domosdoshmëri të fshehtë, thuajse një pakt mes dy të mëdhenjve të politikës, Fatos Nano dhe Sali Berisha. Kur Berisha ra nga kali, për shkak të krizës së piramidave financiare, Nano që kish kërcyer nga qelia në krye të qeverisë, edhe pse fliste për mëshirën kristiane, nuk e frenoi dot arrestimin e 6 figurave të PD të akuzuar për krime në ngjarjet tragjike të vitit 1997. I trembur se mos pas “të gjashtëve” mund ta kish radhën ai, Berisha organizoi PD dhe opozitën në një zinxhir protestash të dhunshme. Jo rrallë ato i printe Azem Hajdari me thirrjen “ta shporrim qelbësirën!”. Dhe duke destabilizuar jetën politike, Berisha ia arriti që të paralizojë drejtësinë dhe ndëshkimin e korrupsionit të qeverisë së tij. Një paralizë e tillë u vu re edhe pas grushtit të armatosur të shtetit të vitit 1998, kur bandat e Berishës pushtuan Kryeministrinë dhe godinën e RTSH duke mbajtur në ballë arkivolin e Azem Hajdarit. Madje edhe ndërkombëtarët u aktivizuan pranë qeverive socialiste me sugjerimin se Berisha nuk duhej arrestuar ngaqë kjo mund të sillte destabilizim të shtetit. U hodhën themelet antishtet dhe antikushtetuese të pandëshkueshmërisë së kreut të opozitës edhe kur ky mund të kish kryer korrupsion apo udhëhequr krime. Republika e të barabartëve para ligjit kishte rënë.

 

***

Jo rastësisht Fatos Nanos dhe njerëzve pranë tij që qeverisën me jo pak korrupsion, nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë kur humbën pushtetin. Që ku ishte në opozitë Berisha, ndërsa sokëllinte për luftë kundër “mamuthëve të korrupsionit socialist”, nuk harronte të shtonte se nuk mund ta dënonte kreun e opozitës, d.m.th. Nanon. Dhe ashtu ndodhi. Gjatë 8 viteve të qeverisjes Berisha pandëshkueshmëria e ish-qeveritarëve socialistë eci paralel me korruptimin e qeveritarëve berishistë. Atë që e akuzonte publikisht si “padrino” të mafies, Berisha e shpalli mik dhe lider historik të së majtës! Te kjo pandëshkueshmëri duhet kërkuar se pse sot korrupsioni në Shqipëri është një epidemi që po degradon jo vetëm shtetin, por edhe shoqërinë.

 

***

Shqiptarët e kundërvotuan Berishën në shumicë të paparë të revoltuar nga pasurimi galopant i qeveritarëve të tij dhe varfërimi galopant, po për shkak të korrupsionit, e një mase në rritje të shqiptarëve. Është po forca e gjërave që i ka vënë Ramën dhe Berishën përballë dhe papajtueshëm. Rama është votuar të ndëshkojë korrupsionin dhe krimin qeveritar. Rama e di se nëse nuk e bën ose nuk tregon vullnet të palëkundur t’i japë fund pandëshkueshmërisë së të paprekshmëve të qeverive, ata që e votuan do ia kthejnë shpinën. Ai ka premtuar të ndëshkojë atë korrupsion që çoi në tragjedinë e Gërdecit. Ai ka premtuar hetimin dhe ndëshkimin e vrasësve të 21 janarit që nuk mund të jenë thjesht disa gardistë. Berisha nuk mund ta lejojë një gjë të tillë. Hetimi dhe gjykimi i “Gërdecit” dhe “21 janarit” kërcënojnë drejtpërdrejt atë dhe njerëz shumë afër tij. Prandaj ka vendosur t’i rikthehet taktikës së kërcënimit të shtetit me destabilitet. Prandaj dhe organi i partisë së tij kërcënonte dje Kryeministrin Rama me tërheqje zvarrë.

 

***

Berisha shpreson ta thyejë qeverinë dhe Kryeministrin Rama me kërcënime të tilla. Ndërkaq ai nuk kupton se ka shumë faktorë kundër. Në radhë të parë shqiptarët, janë shumë më pak të gatshëm se në opozitën e tij të dytë, ta ndjekin Berishën në kuturisjet konfliktuale. Akoma më pak janë të gatshëm ta mbështesin ndërkombëtarët që kanë kërkuar në mënyrë ultimative si kusht për integrimin e Shqipërisë në BE, rekorde konkrete në luftën kundër korrupsionit të madh. Kjo, me fjalë të tjera, do të thotë që në bankën e drejtësisë duhet të japin llogari për korrupsion edhe presidentë, kryeministra apo ministra. Si në Itali (Berluskoni), Kroaci (Sanader) apo Gjermani (Kol). Por Berisha nuk po kupton gjithashtu se, sikundër interesi i tij është i lidhur ngushtë me konservimin e pandëshkueshmërisë, interesi politik dhe karriera e Edi Ramës është e lidhur me ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit shtetëror. Rama nuk ka luksin e dikurshëm të Fatos Nanos për të falur liderin e opozitës. Por as kompleksin se mos akuzohet si ish-punist që persekuton opozitën. Rama ka pas vetes një mbështetje masive, që se ka pasur asnjë kryeministër deri më sot, për të goditur korrupsionin. Të mos ta bëjë këtë do të thotë të godasë jo vetëm vetveten, por edhe Shqipërinë, integrimin. Prandaj dhe konflikti duket i pashmangshëm. Detanta Nano-Berisha, kjo kënetë e korrupsionit 23-vjeçar, ka marrë fund.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA