Eurobasket, humbjet e para për Italinë dhe Spanjën

13/09/2013 00:00

Italia pëson humbjen e parë në Kampionatin Evropian të Basketbollit për meshkuj që po zhvillohet në Slloveni. Është pikërisht skuadra vendase ajo që ndali serinë e rezultateve pozitive për“Të Kaltërit”duke e fituar takimin me rezultatin 84-77.

Fillimi i ndeshjes ishte më i mirë për italianët të cilët u shfaqën solidë në mbrojtje dhe të organizuar mjaft mirë në sulm. Por, Sllovenia në minutat e fundit të periodës së parë shënoi një rezultat të pjesshëm 9-0 dhe në fillimin e dhjetëminutëshit të dytë mori kryesimin në 25-21. Italia rezistoi si mundi deri në minutën e 18, kur sllovenët falë vëllezërve Dragic krijuan një diferencë prej 7 pikësh. Më pas, gjithçka foli për Slloveninë që arriti të mbyllë në favorin e saj këtë takim.

Greqia i jep një leksion të mirë Spanjës duke e mundur me rezultatin 79-74. Fillimi ishte i vrullshëm për kampionët në fuqi të Evropës, të cilët e mbyllin periodën e parë me një diferencë prej 10 pikësh. Në periodën e dytë, Greqia mori frenat e lojës në dorë duke përfituar edhe nga mungesa e një pjesë të mirë të lojtarëve titullarë në parket. Spanulis dhe Kaimakoglu ishin të papërmbajtshëm nga distanca e 3 pikëve dhe duke e çuar Greqinë në dhomat e zhveshjes në pushimin e ndeshjes me  avantazhin41-38. Në 10 minutat e treta ishte sërish Spanja që bëri një lojë më të mirë duke marrë sërish avantazhin 57-50. Që nga ky moment në parket u pa vetëm Greqia e cila ishte më e saktë në lojën e saj.

Kroacia e pati shumë të lehtë ndeshjen e saj të radhës në Eurobasket duke shkatërruar Finlandën me rezultatin 88-63. Ishte një ndeshje ku në parket u pa vetëm një skuadër, Kroacia, e cila ishte pothuajse perfekte në të gjitha sulmet  e saj. Shënuesi më i mirë për kroatët ishte Rudez me 17 pikë, ndërkohë që u dallua shumë edhe Bogdanovic me 15 pikë.

Renditja në Grupin F pas këtyre ndeshjeve sheh Italinë, Slloveninë dhe Kroacinë në 3 vendet e para me 5 pikë. Pas tyre gjenden Spanja, Greqia dhe Finlanda me 4 pikë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA