Një 24-vjeçar është arrestuar pasditen e së mërkurës nga Policia e Tiranës me akuzën e ndërhyrjes në sistemet kompjuterike.
Jurgen Masuti arriti të klononte kartat Digitalb dhe SuperSport duke i shitur më pas në treg të zi. Hetimet kanë nisur disa javë më parë mbi bazën e një denoncimi dhe nga verifikimet e prokurorisë, rezultoi se 24-vjeçari ushtronte këtë aktivitet të paligjshëm prej disa kohësh.
Arrestimi është bërë me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Jurgen Masuti akuzohet për ndërhyrjet e paligjshme në sistemet kompjuterike publike. Policia ka sekuestruar serverin ku ai punonte në mënyrë të jashtligjshme.
Krahas klonimit të kartave, Masuti akuzohet edhe për ndërhyrjen në faqen e internetit të Top Channel (www.top-channel.tv). Ai dyshohet se ka ndërhyrë në faqe në mënyrë pirate duke shpërndarë një lajme të rremë për vdekjen e ish-kryeministrit Sali Berisha.
Masuti është marrë në pyetje nga hetuesit e cështjes dhe përballë provave ka kërkuar kohë për të dhënë shpjegime.
Top Channel