Meta: Kryetar sipas rregullores

12/09/2013 00:00

Në intervistën e tij të parë si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir
Meta ka theksuar se puna e tij në drejtim të këtij institucioni do të
bazohet vetëm tek zbatimi i rregullores në menyrë të paanshme dhe jo
paragjykuese, duke i dhënë hapësirë të barabartë të gjitha palëve.

“Unë nuk do të përpiqem, në detyrën e kryetarit të Kuvendit, as të jem avokat i opozitës dhe as avokati i maxhorancës, por të jem një avokat sa më i drejtë i rregullores, e cila për fat të mirë është miratuar me konsensus vetëm pak muaj më parë nga të gjitha forcat politike. Do të përpiqem që në një frymë sa më konstruktive të bashkëpunoj ngushtë pa paragjykime me të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare në mënyrë që ne të arrijmë, përmes përfaqësimit tonë në Parlament të reflektojmë vërtet atë dinjitet dhe shpirt europian që qytetarët tanë treguar në 23 qershor, duke marrë pjesë në një proces zgjedhor të standardeve europiane”, tha Meta.

Sipas zotit Meta, fakti qe gjate votimit mori 91 vota, pra 8 me shume sesa eshte numri i shumicës së majtë eshte nje tjeter detyrim per pozicionin e tij ne drejtim te Kuvendit.

“Fakti që u arrit të merreshin më shumë vota se sa është numri aktual i maxhorancës të Aleancës për Shqipërinë Europiane në Kuvendin e Shqipërisë, vetëm se më detyron akoma me shumë për një frymë sa më konstruktive dhe gjithëpërfshirëse në drejtimin e Kuvendit”, theksoi Meta.

Nderkohe kryetari i Kuvendit ka theksuar gjithashtu, se opozita e re nuk duhet te zgjedhe si rruge te saj bojkotin parlamentar, siç bëri në seancën e fundit.

“Dua të besoj se opozita e re do të qëndrojë larg frymës së bojkotit përmes pjesëmarrjes së saj. Natyrisht që parlamentarizmi kërkon edhe durim, kërkon edhe vetëpërmbajtje, sigurisht që nuk mund t’i shkrijmë partitë apo Qeverinë edhe opozitën, sepse i shohim edhe çështjet nga dy këndvështrime të ndryshme, por duhet të kemi durim për të dëgjuar konsideratat politike të secilit, pavarësisht edhe kur nuk na pëlqejnë, sepse mendoj se në këtë mënyrë do ta çojmë përpara parlamentarizmin dhe do të uroja që të gjithë të përqendrohen në atë që duhet bërë dhe në atë që duhet bërë më mirë, në mënyrë që ne vërtetë të arrijmë një parlamentarizëm të standardeve më të zhvilluara europiane siç e meritojnë qytetarët dhe votuesit tanë”, tha Meta.

Per Ilir Meten eshte e rendesishme qe Kuvendi te marrin nje rol paresor ne demokratizmin e jetes politike ne Shqiperi duke ofruar modelin e Kuvendimit paqesor qe synon ne rradhe te pare sipas tij zhvillimin e vendit, duke patur parasysh te ardhmen e perbashket pavaresisht kaheve politike.

Top Channel