Mazzarri: Ndaj Juves, rëndësi ka loja

12/09/2013 00:00

Walter Mazzarri mendon se në supersfidën e ditës së shtunë që Interi i tij do të luajë ndaj Juventusit, e rëndësishme është loja që do të paraqesin zikaltërit dhe jo rezultati.

“Në Itali shikohet vetëm rezultati, ndërsa unë gjithmonë shoh lojën. Një skuadër me një trajner të ri duhet të mendojë të luajë mirë më shumë sesa për tre pikët. Mund të fitosh një ndeshje duke u mbrojtur për 85 minuta, por jo një kampionat”, theksoi tekniku i zikaltërve.

“Duhet të jemi të kujdesshëm në mbrojtje dhe të zhvillojmë lojën tonë kur kemi topin në zotërim. Vetëm kështu mund të bezdisim Juventusin dhe çdo skuadër tjetër”, shtoi Mazzarri, i cili do të ketë në dispozicion edhe Diego Militon, i cili kthehet në grumbullimin e Interit 7 muaj pas dëmtimit.

“Milito është gati dhe do të grumbullohet. Tani duhet të gjejë formën e duhur dhe për këtë i duhet të luajë, por ai e di mirë se çdo ndeshje vlen tre pikë dhe më parë duhet të stërvitet mirë”, përfundoi Mazzarri.

Top Channel