Kaçe, orët e fundit te PAOK

12/09/2013 23:50

Mediat greke bëjnë me dije orët e fundit se futbollisti shqiptar i PAOK-ut, Ergys Kaçe, nuk është paraqitur para Komisionit Disiplinor, për të sqaruar publikimin në Facebook të një fotografie të tij me bluzën me inicialet e UÇK-së, javën e kaluar, një veprim që ka shkaktuar reagime të forta në Greqi.

Sipas shtypit, drejtuesit e klubit i kanë dhënë një javë leje Ergys Kaçes, duke pritur qetësimin e situatës në këtë qytet, pas incidenteve të ndodhura mbrëmjen e së mërkurës, kur një grup prej 70 tifozësh të PAOK-ut kanë sulmuar zyrat e partisë neonaziste “Agimi i Artë” në Selanik.

Por, ato theksojnë gjithashtu se klubi po bën përpjekje për shitjen e këtij lojtari, pasi e ardhmja e tij, pas këtyre rrethanave, do të jetë tepër e vështirë për të në Greqi.

Në artikujt e ndryshëm flitet se kanë dështuar bisedimet me një ekip turk ,ndërsa orët e fundit ka zëra se po kërkohet një ekip italian dhe se lojtarit i është vënë një çmim prej 5 milionë eurosh për t’u lënë i lirë, në mënyrë që edhe ekipi i PAOK-ut të fitojë 1 milion euro.

Informacione të tjera të pakonfirmuara bëjnë me dije se edhe prindërit dhe të afërmit e Kaçes janë larguar ose do të largohen drejt Italisë, pasi ngjarjet morën këtë zhvillim.

Megjithëse Kaçe kishte zënë një vend kryesor në ekipin historik të Selanikut, veprimi i tij është dënuar jo vetëm nga tifozët e PAOK-ut, që kërkojnë dhe largimin e tij nga skuadra, por edhe nga shumica dërrmuese e opinionit publik në Greqi.

Por, në të njëjtën kohë, tifozët selanikas nuk kanë pranuar, që neonazistët grek të “Agimit të Artë” ta shfrytëzojnë këtë veprim të Ergys Kaçes politikisht.

Për këtë fakt, edhe vetë analistët politikë kanë theksuar se, me gjithë reagimet që ngjalli kjo ngjarje në Greqi, nga ana tjetër bart në vetvete diçka pozitive, sepse shmang rrezikun e krijimit të bërthamave ekstremiste të djathta në gjirin e tifozëve të organizuar të klubeve greke.

Vlen të përmendim se, sipas një sondazhi të vitit të kaluar, “Agimin e Artë” e votojnë 7% e tifozëve të Olimpiakos-it të Athinës,  7,6% të Panathinaikos-it, 3,6% të AEK-ut  dhe 10,1% të PAOK-ut.

Top Channel