MONIKA SHOSHORI STAFA – I kam besuar gjithmonë filozofisë se njerëzit
kanë lindur të mirë. E si mund të mendosh ndryshe p.sh. kur ju e shihni
përditë pafajësinë e fëmijëve rreth e rrotull jush? Sigurisht, njerëzit
lindin të ndryshëm, prej tyre shumë janë me karakter të vështirë e
personalitete të luhatur sikundër ka të hekurt e refrektar në
vendimmarrje, pasionant dhe novator.

Por ai çikëz optimizëm i thellë i natyrës njerëzore dhe në çastet më të vështira gjithmonë më ka grishur drejt një trendi për të besuar se jemi një qenie jo dhe aq e thjeshtë. E lëvdohem me këtë. Pse jo? Unë i besoj thirrjes se shumë njerëz, në më të shumtën e herës do të bënin gjënë më të mirë për veten dhe komunitetin e tyre nëse u caktohet një detyrë më e lartë apo dhe mundësia të jenë liderë. Por nga ana tjetër po sot, të gjithë ne besojmë se e vërteta, ajo e pastra si drita e diellit, në debatin etik qytetar është që burimi i shumë krizave të sotme mbetet të jetë dështimi i shumë njerëzve në të menduarit dhe të vepruarit me etikë. Që nga bankierët që na hyjnë në xhepat tanë gati çdo ditë e deri te politikanët e klasit ballkanik “shqiptar” që kanë lozur për qejf të vet me votën e qytetarit. Asnjë kod moral, fetar ose jo, s’kemi parë se i ka dënuar këto akte. Të paktën jo deri më tani. Kjo ka qenë në këta 23 vjet shoqëria jonë që jo vetëm i ka toleruar këto sjellje arrogante me pushtetin, por dhe i ka nxitur, ushqyer, strehuar, e joshur ato në forma të tjera me njëri-tjetrin. Të vjetrit me të vjetrit, të vjetrit me të rinjtë, të rinjtë me të vjetrit, apo dhe të rinjtë me të rinjtë. Po pse atëherë nëse njerëzit kanë lindur të mirë, sillen kaq ashpër në thuajse shumicën e kohës?

Gjatë një procesi të gjatë tranzicioni që Shqipëria e kaloi kaq rëndshëm sa nuk sjell dot ndërmend ndonjë shtet tjetër në gjithë hapësirën e Europës Juglindore, sui generis, dëgjuam të na prekte veshin, por të na e rendte ca më shumë atë, këto ditë një term i ri, por i bukur sa më s’ka. Kodi i Etikës së Vlerave, i shmangur me kast nga shtresa që i dha ngjyrën më të shëmtuar Shqipërisë këto vite tranzicion në Europë, klasa politike shqiptare, për të cilën pa droje e them se çdokush nga ne e ka përbuzur më të madhe, pikërisht për shkak të shkeljes së tij, përbaltjes dhe groposjes së disa vlerave më të thjeshta, Kod i cili na erdhi që nga fundi i gushtit pa bujë mes rretheve gazetareske e aq më pak nga ata që bëjnë opinionin publik, por ca më i panjohur dhe i çuditshëm në gojët e popullit të thjeshtë. Ajo që na kishte shqetësuar vazhdimisht në mjediset tona sociale ka qenë një problem fondamental, pikërisht pandershmëria e kudogjendur në shoqërinë, ekonominë dhe politikbërjen e Shqipërisë. Njerëzit qenkan të ligj del pas kësaj, ja se ku u gjet; një provë e trishtë dhe e pareshtur të shkarkon nga prova, megjithatë njeriu nga natyra është i mirë. Atëherë ndoshta mund ta kenë zvetënuar në një pikë të tillë, përveçse ndryshimet e ardhura në konstitucionin e tij, përparimet që ka bërë dhe njohuritë që ka fituar? Dijet thonë se le të admirohet sa të dëshirohet shoqëria njerëzore, nuk do të jetë më pak e vërtetë se ajo i çon pashmangshmërisht njerëzit që të urrehen mes tyre. Por për ta ndalur këtë urrejtje ja tek janë paktet dhe kodet. Kjo sigurisht nuk është një shpikje e sotme e qeverisjes “Rama”, por një shpikje më me eko që i vjen në ndihmë shoqërisë sonë nga eksperienca të jashtëzakonshme që shtetet shumë më liridashëse se ne i kanë shoshitur me kohë këto punët e mendjes. Në darkën e Vlorës dhe të Shkodrës apo dhe deri dy ditë më parë ministrat e përzgjedhur nga Edi Rama, s’iu ndanë këtij kodi, quhej Kodi i Vlerave Etike të ministrave. Gjatë punës së tyre si pjesë e kabinetit qeveritar, Kodi duhet t’i orientojë ministrat se si duhet të jetë komunikimi mes tyre, me qytetarët, me deputetët, por dhe me mediat. Ruajtur me shumë fanatizëm ajo që duket është se ky është një Kod dashamirës në pamje të parë si ashtu duhet të jetë. Në mos jo, Kodi i Heshtjes apo Kodi i katranit, të paktën ka një emër më lehtësisht të shqiptueshëm. Por ajo që duhet të kuptohet nëpërmjet shfaqjeve boshe ose jo të kësaj dashamirësie, ajo pra që përshkohet në thellësi të shpirtrave tanë dhe që reflektohet për atë çka duhet të jetë është një gjendje gjërash në të cilën të gjithë njerëzit janë të shtrënguar të ledhatohen dhe të shkatërrohen ndërsjelltas, duke u kthyer në armiq për detyrë dhe finokë për interes. Nëse dikush do të shprehej se shoqëria është ndërtuar në mënyrë që secili fiton po t’u shërbejë të tjerëve, ashtu si ky Kod e legjitimon mes radhëve të tij, do të shtoja se kjo do të ishte një gjë shumë e mirë nëse nuk do të fitohej dhe më tepër duke i dëmtuar ata.

Për Kodin Etik të ministrave, vetë Rama është shprehur se “bazohet në modelet më të arrira të mirëqeverisjes demokratike”. Por kjo nuk është gjithmonë e qartë saktësisht se çfarë nënkuptohet me këtë term. Një mënyrë e dobishme për të ngritur diskutimin është të ekzaminohet fjala “etikë.” Në përgjithësi, etika i referohet studimit të sjelljeve të drejta apo të gabuara. Në jetën tonë të përditshme, ne jemi të ballafaquar vazhdimisht me pyetje të rëndësishme në lidhje me atë çfarë duhet të bëjmë. Duhet ta mbaj premtimin tim apo nuk duhet? Duhet të raportoj për një portofol të humbur, apo thjesht të mbaj paratë e tjetrit? Etika, si një fushë studimi, tenton të gjejë principet/parimet apo dhe rregullat për t’iu përgjigjur pyetjeve të tilla. Etika e qeverisë i referohet një kodi të veçantë të sjelljes profesionale për ata që punojnë në të dhe për qeverinë. Prandaj Etika e qeverisë, përfshin rregulla dhe udhëzime për sjelljet e drejta dhe të gabuara për një mori të grupeve të ndryshme, duke përfshirë edhe liderët e zgjedhur (të tilla si, të Kryeministrit dhe ministrave të kabinetit), përfaqësues të zgjedhur (të tilla si, deputetët e Parlamentit), stafi politik dhe ai i shërbimit publik . Këto grupe janë të ballafaquar me një sërë pyetjesh etike të vështira dhe shumë unike. A duhet një zyrë publike të punojë për qeverinë? Përfaqësuesit e zgjedhur duhet të lejohen të pranojnë dhurata të shtrenjta nga grupet e lobimit? Kur mundet që një zyrtar publik të zbulojë informacionin personal në lidhje me qytetarët? Dhe si duhet të trajtojë ai kolegët dhe vartësit e tij? Etika e qeverisjes identifikon se çfarë janë sjelljet korrekte në secilën prej këtyre situatave dhe përcakton rregullat e sjelljes për zyrtarët publikë që duhen të ndiqen.

Çfarë do të vinte nëse Europa e lume prej shekujsh mos t’i kish qëndisur këto në palimpsestet e veta? E dimë se njeriu i egër kur ka ngrënë është në paqe me gjithë natyrën dhe mik me të gjithë të ngjashmit e tij. Ai e di shumë mirë se për çfarë dhe si duhet të luftojë kur sërish e merr uria. Por te njeriu në një shoqëri mes ligjesh dhe kodesh punët qëndrojnë ndryshe; nuk gjendet tek ai asnjë çast pushimi dhe ajo që është më e veçantë është se sa më pak nevojat natyrore aq më tepër shtohen pasionet dhe aftësia për t’i përmbushur ato. E tillë me pak fjalë është tabloja morale nëse jo e jetës njerëzore së paku e mëtimeve të fshehta të zemrës së çdo njeriu të qytetëruar. Jo se deri tani na mungonin, thënë mes nesh, por në më të shumtën e rasteve të paktën në Shqipëri ka rezultuar se pas shumë begatimeve të pandalshme, thesareve të gëlltitura dhe shkretimit të mijëra njerëzve apo qindra të tyre heronjtë tanë kishin gjasa t’i “hanë” të gjithë derisa zotërues të vetëm të mbeten ata. Por mos mendoni ndryshe nëse vërtet nuk i çoni ndërmend trazimet e tyre shpirtërore përballë pushtetit, pasionet e dhunshme të tij, plogështinë e rrezikshme që sjell paraja e tyre, përzierjet e përbindshme që sjell dominimi me anë të saj, mundimet e skajshme me të cilat janë ngarkuar të varfrit, nëse nuk mendojmë le të themi mallrat ushqimore të skaduara, kavanozat e helmatisur, medikamentet e falsifikuara, poshtërsitë e shitësve ambulantë, për gabimet e atyre që u japin licencë, për drogërat e fëlliqura që lejohen të mbillen m’u para syve të komunarëve, ndërsa turistët ende duan të fotografojnë gra të lidhura me ushkur në brez. Pa provojeni pak?! E si mund t’i shërbente mirëqeverisjes demokratike mungesa apo dhe shkelja e një Kodi, e atij që me ligj më e pakta na bën të ndiejmë se sa shtrenjtë natyra na bën të paguajmë përçmimin me të cilin kemi çmuar mësimet e saj?

Pra, pse duhet të kemi kujdes në lidhje me etikën e qeverisë? Një arsye e thënë shpesh është rëndësia e etikës së qeverisë për pjesëmarrjen demokratike. Si një komb demokratik, një sistem demokratik funksionon siç duhet vetëm nëse qytetarët e tij janë të angazhuar në mënyrë aktive në procesin demokratik. Por në qoftë se qytetarët arrijnë të besojnë se politikanët dhe qeveritë janë  përgjithësisht joetike ose të korruptuar, atyre  mund t’u lindë një ndjenjë e fortë mosinteresimi për demokracinë. Kjo, nga ana tjetër, tek qytetaret mund të rezultojë me tërheqjen krejt nga pjesëmarrja demokratike.

Është e vetëkuptueshme se të shkelesh etikën përbën gjithmonë një skandal. Megjithatë, pas kësaj kemi të gjithë të drejtën e botës të shpresojmë se kur një fenomen i tillë ndodh, atëherë merren masat e duhura për të ndëshkuar këtë veprim joetik. E i gjithë opinion publik duhet patjetër të informohet me të nëpërmjet medias që ia legjitimon Kodi. Zot na ruaj nëse sërish do të kemi kapje të njëra–tjetrës! Atëherë ç’turp për ata që u veshën me petkun e Heroit!

Për t’iu kthyer sërish fillimit duhet të jemi të qartë se njerëzit nuk bëhen të mirë me dekrete, apo Kode. Sfida për qeverinë e ardhshme ndër shumë të pamundurat apo jo, është për të ristrukturuar shoqërinë e për të krijuar një mjedis, ku të kultivohet virtyti. Qeveria duhet të veprojë etnikisht  për të inkurajuar dhe për të mundësuar që qytetarët të bëjnë të njëjtën gjë. Në vitin 1981, Margaret Thatcher për “The Sunday Times” thotë: Ekonomia është mënyra si ne duhet të ndërhyjmë me forcë, qëllimi është për të ndryshuar zemrën dhe shpirtin”. Dhe ajo e arriti qëllimin e saj. Anglezët ditën t’u binden me përpikëri ligjeve dhe njerëzve – përfaqësues të tyre, i nderuan ata të cilët ditën të parandalojnë, të zbusin apo shërojnë atë shumësi abuzimesh apo të këqijash që i kishin shtypur dhe nuk e përbuzën aspak një organizim i cili u mbajt në këmbë me ndihmën e shumë personave të respektueshëm më shpesh të dëshiruar se të arritur.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA