“Alonso-Raikkonen, dyshja më e mirë”

12/09/2013 00:00

“Alonso-Raikkonen është dyshja më e mirë që mund të kemi sot në Formulën 1 nëse kemi parasysh talentin, eksperiencën dhe aftësinë që kanë për të zhvilluar makinën.”

Këto janë fjalët e Stefano Domenicali në faqen zyrtare të Ferrarit. Shefi i “Kokëkuqes” shton se nuk do të jetë asnjë problem të pasurit “dy gjela në një kotec”.

“Është njësoj si në futboll. Kur tifozët e një skuadre kanë frikë kundërshtarin sepse ai ka sulmues shumë të mirë, shpresojnë që ata të zihen për topin”, shpjegoi Domenicali.

“Ata që mendojnë se Kimi do të jetë “anti-Alonso”, gabohen rëndë. Të gjithë e dinë se tek Ferrari, skuadra është mbi gjithçka. Fernando është i lumtur për zgjedhjen tonë pasi e kupton që një skuadër më e fortë është një avantazh për të”, shtoi Domenicali.

Në lidhje me tipin e ftohtë të finlandezit, shefi i skuderisë së Maranellos tha: “Kemi punuar më parë me Kimin dhe kurrë nuk kemi pasur probleme. Secili ka karakteristikat e veta dhe nuk mund të presim nga një finlandez të tregojë barcaleta apo të bëjë shaka gjithë kohës. Mendoj se është një kombinim i bukur pasioni latin i Fernandos me “ftohtësinë” e Kimit.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA